Bisedat për politikë janë bisedat më të zakonshme që bëhen sapo mblidhen dy veta e më shumë. Pavarësisht në është kohë zgjedhjesh apo jo, gjëja e fundit që duhet të bëhet në vendet e punës është të bërit debate për politikë me kolegët e punës. Kjo sepse ne nuk jetojmë në një kohë ku secili duhet të mendojë njësoj dhe t’i ketë të njëjtat pëlqime, pavarësisht fushës.
Jo të gjithë do ta ndajnë të njëjtën ideologji, prandaj biseda mund të përfundojë në konflikte dhe t’i dëmtojë lidhjet personale që i keni më kolegët. Situata të tilla do t’i bëjnë të ndihen jo rehat madje edhe ata të cilët pajtohen me ideologjitë tuaja. Ndoshta gjëja më e keqe që mund të vijë prej këtyre bisedave është nxitja e zemërimit të shefit.
A duhet që shefi t’i ndalojë diskutimet për politikë?
Shefi mund t’i jap fund këtyre diskutimeve nëse ato ju tërheqin vëmendjen tuaj dhe të kolegëve dhe nuk ju lënë të përqendroheni në punë, ose kur ato shkaktojnë tensione në vendin e punës. Madje nëse ai e sheh që kjo po ndodhë mund t’i ndalojë ato plotësisht. Në shumicën e rasteve atyre ju lejohet ligjërisht që ta bëjnë këtë, përveç në rastet kur ju dhe bashkëpunëtorët tuaj flisni për çështje të cilat lidhen me punën, të tilla si pagat, kushtet e punës etj.
Shprehja e mendimeve politike në rrjete sociale
Rrjetet sociale zakonisht i shohim si diçka shumë personale, ku na lejohet të krijojmë çfarëdo përmbajtjesh që dëshirojmë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona të punës. Ani pse në Kosovë ligjërisht ndalohet çfarëdo lloj diskriminimi, shefi juaj është aq i mençur sa të mos ju tregojë se arsyeja e vërtetë e shkëputjes së kontratës është preferenca politike.
Por në rastet kur e vëreni këtë ju mund t’i raportoni shkeljet që mund t’ju bëhen për shkak të mendimit tuaj politik, sepse sipas nenit 5 të Ligjit të Punës në Kosovë “diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi”.
“1.17. Diskriminimi – çdo dallim që përfshin përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjuhës ose anëtarësisë sindikale, që e ka fuqinë e anulimit ose mosdhënies së mundësive të barabarta për punësim apo profesion apo ngritje profesionale.” |
E nëse jeni prej atyre personave që nuk mund të përmbahen pa i dhënë mendimet e tyre për çfarëdo që të ndodhë, sigurohuni që ta rrisni sigurinë, në mënyrë që kolegët dhe shefi të mos i shohin postimet që i bëni!
Çfarë të flisni në vend të politikës?
Që diskutimi të mos arrijë te njëra prej bisedave të cilat shpesh devijojnë siç është politika, ka tema të ndryshme të cilat jo vetëm që nuk do të krijojnë konflikte në vendet e punës, por edhe do të ndërtojnë marrëdhënie më të mira në mes të bashkëbiseduesve.
- Flisni rreth planeve të pushimeve!
- Ndani receta të ushqimeve!
- Rekomandoni ndonjë restorant!
- Tregoni se çfarë bëtë gjatë fundjavës!
- Flisni për ndonjë libër, film, apo shfaqje televizive! /TV Malisheva