Teknologjia ka ndihmuar personat e paralizuar që të komunikojnë me botën jashtë nëpërmjet implanteve në tru, apo teknikave të ndjekjes me sy. Zhvillime këto për t’u përgëzuar vërtetë, por që deri më tani vetëm sa e kanë ngadalësuar përkthimin e mendimeve. Por një studim i ri nga shkencëtarët e Universitetit të Stanford sjell rezultate mjaft të mira.
Në fakt ekspertët thonë se metoda e zhvilluar prej tyre për të komunikuar me njerëzit që vuajnë nga paraliza, mund të rivalizojë shpejtësinë e të shkruarit nga njerëzit pa probleme të tilla.
Teknika e re përdorë një kompjuter për të konvertuar lëvizjet e tentativës për të shkruar nga aktiviteti i trurit në një tekst që shfaqet në ekran. Si pjesë e testimeve të tyre, grupi i ekspertëve punuan me një 56-vjeçar, i cili në studim mban emrin T5, i paralizuar nga qafa e poshtë, për shkak të një dëmtimi të marrë në shtyllën kurrizore në 2007-n.
Shkencëtarët vendosën dy implante çipi në pjesën e trurit që është përgjegjëse për kontrollimin e lëvizjeve. Ata i thanë subjektit që të imagjinonte sikur po shkruante normalisht me laps e letër.
Në këtë moment çipët e vendosur në tru dërguan sinjalet nervore nëpërmjet një fishe në kompjuter, aty ku një algoritëm AI (Inteligjencë Artificiale) përktheu të shkruarit me mendje, duke zbërthyer lëvizjet e dorës dhe gishtit.
Rezultatet përfundimtare ishin që T5 mundi të shkruante rreth 18 fjalë për minutë më një saktësi prej 94.1 përqind. Për krahasim, një person normal i së njëjtës moshe mund të shkruajë rreth 23 fjalë për minutë në një smartphone.
Rezultatet janë mjaft shpresëdhënëse, megjithatë grupi i shkencëtarëve thotë se momentalisht janë të fokusuar për të zhvilluar më shumë teste për të provuar efikasitetin dhe sigurinë e kësaj teknologjie./TV Malisheva