Google, ashtu si edhe Apple, do të zbatojë funksionin e etiketave “privacy” në të gjitha aplikacionet Android të shpërndara në Play Store, transmeton TV Malisheva.

Më 26 prill, me një përditësim të sistemit operativ iOS, kompania e Cupertino-s prezantoi mundësinë që përdoruesit e saj të përjashtojnë gjurmimin e aplikacioneve për qëllime reklamimi.

Etiketat do të fotografojnë me ikona dhe grafikë përdorimin e të dhënave personale nga aplikacionet.

Si rrjedhojë, zhvilluesit do të duhet t’i deklarojnë kompanisë Google dhe publikut të përdoruesve se cilat të dhëna personale ata përdorin dhe për çfarë qëllimesh, përveçse duhet të sigurojnë një politikë të zgjeruar të privatësisë.

Për t’u përgatitur për risitë, Google fton zhvilluesit të rishikojnë proceset dhe programet e tyre për të korrigjuar çdo devijim nga rregullat dhe politika e privatësisë së kompanisë.

Sipas faqes në internet Gizmodo, Google do t’i bëjë të njohur rregullat për zhvilluesit brenda verës, ata do të kenë kohë deri në tremujorin e parë të vitit 2022 që të jenë në përputhje.

“Nëse zbulojmë se një zhvillues ka paraqitur keq të dhënat dhe shkel rregullat, ne do t’i kërkojmë zhvilluesit të bëjë korrigjime”, tha Google në blogun e zhvilluesve të Android. /ATSH-ANSA/

Share.