Ta zëmë që jeni përballur me një situatë të tillë: Ju keni aplikuar për një pozitë në njërën nga kompanitë e vendit, por nuk keni marrë përgjigje, në ndërkohë që pas disa kohësh e njëjta kompani ka publikuar një konkurs për të njëjtën pozitë. Çfarë do të bënit në këto raste, do të aplikonit përsëri apo do të ndaheshit të zhgënjyer me veten dhe kompaninë dhe nuk do të aplikonit më?
Mbase disa kanë kaluar nëpër një situatë të tillë dhe vendimi juaj mund të ketë qenë i ndikuar, por nuk e keni ditur saktësisht se cili është vendimi i duhur. Akademi Pune ju tregon se çfarë duhet të keni parasysh përpara se ta merrni vendimin.
Kur nuk duhet aplikoni edhe njëherë?
Janë disa raste kur nuk ia vlen që të harxhoni kohë të riaplikoni për atë pozitë.
Jeni eliminuar gjatë procesit të intervistës: Nëse jeni intervistuar për një pozitë, por jeni refuzuar dhe kërkesat e punës nuk kanë ndryshuar që kur pozita është ripostuar, nuk ka kuptim që të aplikoni edhe njëherë, sepse do t’i humbisni kohë vetes dhe të tjerëve. Ajo mund të jetë puna dhe kompani e ëndrrave, por në qoftëse e keni shfrytëzuar çdo mundësi që nga takimi me ekipin e deri te letra e falënderimit, nuk ka ju ka mbetur më asgjë për të bërë.
Postimi i ri thotë që aplikantët e mëparshëm do të konsiderohen: Nëse në postimin e ri thuhet qartë se aplikantët e mëparshëm janë ende në proces, nuk ka nevojë të riaplikoni. Duke qenë se kandidatura juaj po shqyrtohet ende, çdo veprim tjetër është humbje kohë për secilin.
CV-ja juaj nuk ka ndryshuar: Është e vërtetë që disa aplikacione mund të mos vërehen nga punëdhënësit, sidomos ata të cilët nuk përdorin softuer për gjurmimin e aplikantëve. Sidoqoftë, nëse puna është ripostuar, është më mirë të supozojmë se menaxheri i punësimit ka rishikuar grupin ekzistues të aplikantëve dhe po kërkon të rinj. Nëse nuk e keni rishikuar CV-në tuaj, është absurde të aplikoni për herë të dytë dhe të prisni një rezultat tjetër.
Ju nuk i plotësoni kërkesat për punë: Nuk ka kuptim të aplikosh për një vend pune nëse nuk zotëron kualifikimet e duhura. Rishikoni përsëri listën e punës për të identifikuar cilat kërkesa konsiderohen “të domosdoshme”! Nëse nuk i plotësoni këto kërkesa thelbësore, nuk është e nevojshme që të shqetësoheni për të aplikuar madje as për herën e parë.
Kur duhet të riaplikoni për punën që është ripostuar?
Por nuk ka vetëm raste kur nuk duhet të riaplikoni, ka raste edhe kur mund të shpresoni përsëri për t’u pranuar në punën e ëndrrave.
CV-ja juaj është rishkruar në mënyrë profesionale: Shkrimi i një CV-je tërheqëse është njëkohësisht art dhe shkencë. Nëse nuk keni ndërhyrë asgjë për ta shkruar në mënyrë profesionale Cv-në, është e padrejtë që të prisni që ajo të merret parasysh edhe njëherë. Jepni kësaj mundësie të re një rezyme të re!
Shkathtësitë ose historia juaj e punës kanë ndryshuar që nga aplikimi juaj fillestar: Nëse jeni ngritur në detyrë, keni marrë përgjegjësi të reja, jeni certifikuar për diçka, keni diplomuar, ose keni zhvilluar aftësi të reja që kërkohen ose janë të dëshirueshme për atë pozitë, kompletojeni CV-në dhe dërgoni aplikimin!
Gjetët gabime në CV-në tuaj origjinale: Sipas një gjetjeje të “TopResume” punëdhënësit thanë që gabimet më të mëdha që u kushtojnë kandidatëve vendin e punës janë gabimet drejtshkrimore. Nëse pasi e keni rishikuar CV dhe keni parë që ajo ka gabime qoftë shtypi ose të tjera redaktojeni atë dhe aplikoni për herë të dytë!
CV-ja juaj fillestare nuk ishte e përputhshme me softuerët: Përafërsisht 95 përqind e kompanive të Fortune 500 mbështeten në softuerin ATS (applicant tracking system) për të ndihmuar në kontrollimin dhe verifikimin e aplikacioneve hyrëse. Nëse CV-ja juaj fillestare nuk ka qenë e hartuar duke e pasur parasysh këtë softuer, ajo nuk ka mbërritur kurrë në tryezën e punëdhënësit për shqyrtim. Riaplikoni për punë nëse e keni rishikuar CV duke e përshtatur me këtë system! /TV Malisheva