KEDS po vazhdon të investojë fuqishëm në shtrirjen e rrjetit nëntokë gjithandej vendit. Deri më sot, mbi 28 milionë euro janë investuar në rrjet nëntokësor në 7 distriktet në kuadër të mbi 140 projekteve të KEDS.

KEDS nëpërmjet një komunikate thotë se tashmë shumica e qendrave të qyteteve janë me rrjet nëntokësor, derisa synimi i KEDS është që brenda një të ardhme të shkurtër të përfshijë të gjitha në nivel Kosove. Këto investime po bëhen në bashkëpunim edhe me komunat.

“Me shtrirjen e rrjetit elektrik nëntokë, KEDS po krijon infrastrukturë të re energjetike derisa me qindra shtylla po largohen duke i kthyer pamjen e merituar zonave turistike, qendrave të qyteteve dhe vendeve historike. Krijimi i infrastrukturës së re po i bën zgjidhje njëherë e mirë rrjetit të stërvjetruar që KEDS ka trashëguar. Kështu, po rriten kapacitetet duke rritur sigurinë e furnizimit me energji të qëndrueshme e kualitative dhe po zëvendësohen me qindra kilometra kabllo. Përmes këtyre investimeve nëntokësore, po krijohen edhe linjat alternative, që do të mundësojnë furnizim alternativ në rast avarie. Kjo pasi nëse një dalje e asaj linje është në defekt, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe kësisoj konsumatori nuk ballafaqohet me ndërprerje të energjisë elektrike. KEDS për 8 vite të operimit në Kosovë ka investuar mbi 170 milionë euro në modernizim të rrjetit. Investime në rrjetin elektrik po vazhdojnë çdo ditë anekënd Kosovës, që tregon përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit“, thuhet në komunikatë./TV Malisheva

Share.