Sot është bërë përurimi dhe hapja e sallës së sportit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Në ceremoninë e përurimit, krahas nxënësve, mësimdhënësve dhe udhëheqjes së shkollës, ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori për arsim, Blerim Thaçi, drejtori për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Mazreku, dhe drejtor e zyrtarë tjerë komunal.
Shiritin e përurimit e kanë prerë, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, drejtoresha e shkollës, Rrezartë Mazreku-Kastrati dhe Adhurim Mazreku, djali i heroit dhe dëshmorit të kombit Ibrahim Mazreku, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë.
Nënkryetari Berisha, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit, për këtë objekt sportiv, i cili ka vlerë të madhe, jo vetëm për zhvillimin e orëve të edukatës fizike, por edhe për zhvillimin e sportit në përgjithësi, pasi nga këtu dalin talentët e sportit, dhe falë investimeve në infrastrukturën sportive, edhe sporti në Malishevë po rritet çdo ditë e më tepër, dhe vetëm këtë vit, disa klube nga qyteti ynë, janë bërë pjesë e ligave superiore.
Ky objekt i sportit, është i ndërtuar sipas standardeve bashkohore dhe i plotëson nevojat për zhvillimin e të gjitha sporteve që zhvillohen në salla të mbyllura./TV Malisheva