Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se ka diskutuar dje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbi procesin e dialogut.
“Unë jam mirënjohës për mundësinë për të diskutuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq zhvillimin e situatës në lidhje me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor midis vizitave të tij në selinë e NATO-s dhe Republikën Çeke,” shkroi Lajçak në Twitter.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, disa herë e ka potencuar se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka ndër prioritet e tij.
Në prill, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, i shkroi një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në të cilën i kërkoi vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyi, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve./TV Malisheva