Vendimin e Qeverisë së Kosovës për bordin e ri të ARKEP-i nuk e ka miratuar sot Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Gjatë shqyrtimit të këtij vendimi nga ana e komisionit, është kërkuar nga Qeveria të plotësojë dokumentacionin shtesë për kandidatët në mënyrë që të votohet në mbledhjen e ardhshme të komisionit.
Kryetari i komisionit, Ferat Shala nga PDK-ja duke kërkuar që vendimi në fjalë t’i kthehet prapa Qeverisë, tha se ka mungesë të dokumenteve, ashtu siç kërkohet me ligj.
Shala konsideron se nuk është plotësuar neni 78.6 i ligjit përkatës në fuqi.
Shala: Ka mungesë të dokumentacionit për bordin e ARKEP
“Parimisht ka mungesë të dokumentacionit shtesë, sidomos atij që parasheh ligji. Pra, mbështetur në atë që ne sot kemi përpara, kemi vetëm CV-it e kandidatëve. Ligji është i qartë për këtë çështje, dhe konsideroj që ne si anëtarë të komisionit nuk e kemi dokumentacionin e plotësuar sipas ligjit, neni 78.6, i precizon qartë kompetencat dhe detyrat se çka duhet qeveria dhe komisioni të posedojnë në këtë rast. Propozim im është që t’i kthehet qeverisë që ta plotësoj edhe këtë pjesë që mund ta ketë harruar ose neglizhuar dhe pastaj në një mbledhje të radhës në mënyrë unanime ta procedojmë”, tha Shala.
Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila nga VV-ja, është pajtuar që të kërkohet nga zyra e kryeministrit të plotësohet dokumentacioni për kandidatët, por shtoi se vendimi si i tillë nuk duhet të kthehet prapa.
Kusari-Lila: Në aspektin e dokumentacionit unë pajtohem, nuk jam që vendimi të kthehet prapa
“Në aspektin e dokumentacionit unë pajtohem, nuk jam që emrat apo vendimi i Qeverisë të kthehet prapa në Qeveri, por jam që sot ne të miratojmë me kërkesën ndaj Zyrës së Kryeministrit që dokumentacioni shtesë sipas dispozitave ligjore t’i bashkëngjitet para se të procedohet në kryesi. Krejt çfarë kërkohet tek kandidatët në raport me konfliktin e interesit dhe me angazhimet e tyre”, theksoi Kusari-Lila.
Ndërsa, deputeti Pal Lekaj nga AAK, duke theksuar se për këtë proces nuk ka pasur konkurs, tha se nëse VV ka kundërshtuar dikur për përzgjedhjen e bordit pa konkurs, duhet ta kritikojnë edhe tani.
Lekaj: VV kritikonte për borde pa konkurs por edhe tash nuk ka pasur konkurs
“Po e citoi Hekuran Muratin, aktualisht ministër. E kam procesverbalin, dhe çka thotë: theksoi se tash kemi kuorum dhe mund të merret vendim, për këtë listë sa po e kuptoj nuk ka pasur konkurs dhe për një institucion kaq të rëndësishëm nuk duhet të lejojmë një gjë e tillë të ndodh kur emërohen persona pa kurrë farë konkursi, pa kurrë farë procedure. Ne si komision t’i rekomandojmë seancës që kjo listë mos të votohet dhe t’i kthehet prapa Qeverisë”. Kështu e kanë thënë, tani kush ka pasur drejt edhe atëherë e kemi sqaruar po të njëjtën që ligji e parash, edhe unë pajtojë dhe ne duhet t’i respektojmë ligjet, por tani çka ka ndryshuar nuk e di. Mirëpo, tash mos të punojmë me dy standarde, nëse kanë kritikuar atëherë lë të kritikojnë edhe tani”, theksoi Lekaj.
Lista që është miratuar nga kabineti qeveritar ditë më parë për bordin e ARKEP përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar./TV Malisheva