Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nuk u paraqit dje para Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, transmeton TV Malisheva.
Ai është përgjigjur Kuvendit me shkrim, ku mungesa arsyetohej me vizitën në samitin e Brdo-Brijunit, për të cilën kreu i shtetit thotë se institucionet kishin njoftim prej kohësh.
Në arsyetimin e tij, presidenti Meta e cilëson veprimtarinë e komisionit hetimor si jo legjitime, për sa kohë thotë se Kuvendi gjendet në një periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit.
“I bëj thirrje këtij Kuvendi, se askush, brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të gënjehet e mashtrohet se kjo është çështje “etike” dhe “retorike”. Jo! Kjo është vetëm çështje sovraniteti! Edhe pse kjo nismë është një hakmarrje, ju garantoj se, Presidenti i Republikës, ishte dhe do të mbetet i vetmi institucion që nuk e frikësuat, që nuk e korruptuat, dhe që nuk e detyruat asnjëherë, që të shkelte Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Meta.
Ky qëndrim i kreut të shtetit nuk u prit mirë nga anëtarët e komisionit. Kryetari i Komisionit hetimor Alket Hyseni kërkoi nga kreu i shtetit që të paraqitet në seancën dëgjimore qoftë edhe për hir të transparencës me publikun.
Ndryshe, kjo është hera e dytë që presidenti Meta injoron Kuvendin, për të njëjtën çështje. Fillimisht ai nuk u paraqit në Komisionin e Ligjeve kur shqyrtohej kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor. Edhe atëherë u përmend agjenda dhe mungesa e kohës për t’u përgatitur./A2