Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, vlerësoi se zhgënjimet rreth negociatave të bllokuara me BE dhe kolapsi me shpërndarjen e vaksinave i japin hapësirë Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
Sipas mediave maqedonase, Zaev paralajmëroi BE se reputacioni i saj do të “marrë një goditje në Ballkan dhe do të humbasë vendin e saj përpara forcave rivale nëse nuk fillon së shpejti negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
“Nëse rruga e rajonit për në BE ngadalësohet, ajo do të hapë më shumë hapësirë për fuqitë e tjera, veçanërisht Rusinë dhe Kinën. Nëse BE nuk i mban premtimet e saj në rajon, do të jetë më pak një nxitje për Kosovën dhe Serbinë për të gjetur një zgjidhje në bisedimet e sponsorizuara nga BE dhe do ta bëjë më pak të mundshme që BeH të zbatojë reformat e nevojshme,” tha kryeministri i Maqedonisë Veriore.
Në një intervistë për “Politico” të Brukselit, e cila u bë gjatë vizitës së javës së kaluar në Athinë, Zaev hodhi poshtë idenë e komisionarit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, për të ndarë fillimin e negociatave të pranimit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.
“Mesazhi kundër ndarjes është i qartë dhe shpresoj se Bullgaria do të jetë e arsyeshme,” tha ai, duke e përshkruar problemin me Sofjen si “thelbësor“, duke shprehur optimizëm se mund të gjendej një zgjidhje e mosmarrëveshjes.
Kryeministri i Maqedonisë Veriore vuri në dukje se ai shpresonte në ndihmën e fuqive perëndimore, duke përfshirë presidentin e SHBA-së Joseph Biden. Nëse nuk ka progres, vlerësoi Zaev, procesi i zgjerimit do të ngrihet për të paktën një vit e gjysmë tjetër për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, Gjermani dhe Francë.
“Kaq shumë viktima dhe pas kësaj BE nuk do ta jep (premtimin). Ky është problemi. Ne kemi treguar më shumë vlera dhe sjellje evropiane sesa BE,” tha Zaev, duke shtuar se me gjithë dështimet e fundit, ai është optimist dhe mendon se BE mund të rikthejë besimin duke hapur shpejt bisedimet e anëtarësimit./TV Malisheva