Sonte (e shtunë) mbahet nata finale e Eurovision 2021, në Rotterdam të Holandës.

Plot 26 shtete do të konkurrojnë për vendin e parë, që njëherësh do të përcaktojë edhe vendin ku do të mbahet Eurovisioni vitin e ardhshëm.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet denjësisht nga këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, e cila bëri një interpretim të shkëlqyer live në natën e dytë gjysmëfinale të enjten, duke fituar votat e mjaftueshme për ta kualifikuar vendin e saj për në finalen e madhe.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Anxhela ka rrëfyer emocionet e natës së dytë, pas arritjes së momentit kulminant – atij të kualifikimit për në finalen e sotme.

“Eurovisioni është një skenë aq e madhe, me një audiencë aq të madhe sa që kontrollimi i emocioneve gjatë performimit është shumë i vështirë. Në momentin që dëgjuam se ishim në finale, isha shumë e lumtur dhe emocione te jashtëzakonshme që është vështirë të pëshkruhet sidomos kur aspak nuk e prisja që ne të emërohemi si kualifikuesi i parë. Ishte një moment shumë i bukur”, ka thënë Anxhela Peristeri për Telegrafin.

Në natën e gjysmëfinales, ajo këndoi e 11-ta në renditje, ndërkohë që sipas shortit të hedhur për mbrëmjen finale, sonte artistja shqiptare do të ngjitet një skenë për të performuar e dyta.

Për Telegrafin, Peristeri tregoi emocionet për performancën e sotme, duke bërë njëherësh thirrje për të gjithë shqiptarët e diasporës që të shprehin mbështetjen ndaj saj, duke votuar.

“Emocionet gjithnjë janë në rritje kur afrohet ora e performimit, jam shumë e lumtur që arritëm në finale dhe do e përfaqësojmë gjithë shqiptarët anembanë dhe muzikënshqiptare. Jam shumë falenderues për votat e shqiptarëve në diasporë në natën e gjysmëfinales, sonte gjithashtu dhe një herë pres mbështetjen e tyre për ta ngjitur sa më lartë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këtë edicion. Sonte, performoj me numrin 02, dhe shpresoj të marr mbështetjen e gjithë shqiptarëve dhe një herë”, ka thënë Anxhela Peristeri.

Më poshtë gjeni listën me numrat përkatës të secilit shtet, nga ku mund të votoni Shqipërinë me kodin 02, varësisht nga shteti ku ndodheni.

Anxhela nuk është shqiptarja e vetme sivjet në finalen e Eurovision 2021, pasi edhe shteti i Zvicrës ka fatin të përfaqësohet nga një talent shqiptar – dhe ai është artisti Gjon Muharremaj i njohur si Gjon’s Tears.

Gjoni gjithashtu në një intervistë për Telegrafin kishte treguar se e kishte për nderë ta përfaqësonte Zvicrën, ndërsa thotë se po t’i jepej mundësia, me shumë qejf do të prezantonte në ndonjë të ardhme edhe Shqipërinë dhe Kosovën (nëse fiton të drejtën e pjesëmarrjes) në Eurovision.

“Unë jam lindur në Zvicër nga prindër që kanë imigruar. Babai im është nga Suhareka në Kosovë dhe mamaja nga Tirana në Shqipëri. Kur jam përzgjedhur si përfaqësues i Zvicrës në Eurovision, jam ndjerë shumë krenar dhe me fat se është eveniment shumë unik dhe do më japi shumë eksperiencë në artin tim”, ka thënë Gjoni për Telegrafin.

Gjoni e përfaqëson Zvicrën me këngën “Tout l’Univers” dhe mban kodin 11, për të gjithë ata që duan ta votojnë në finale. /TV Malisheva

Share.