Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar letrën që lideri i saj, Ramush Haradinaj, ia kishte dërguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, më 6 maj.

Ndër të tjera në letër thuhet se si parti janë të shqetësuar me kahjen e zhvillimeve të fundit rreth dialogut dhe se është e dukshme tendenca që ky proces të zhvendoset në rrafshe me paqartësi të plota.

Tutje në letër thuhet se qëndrimi i AAK-së për dialogun është si vijon:

-Temat nacionale nuk mund të jenë ekskluzivitet i askujt. Askush nga institucionet e Kosovës nuk mund të ndërmarrë veprime për sa i përket temave të dialogut me Serbinë e të befasojë Kuvendin e Kosovës. Askush nuk duhet të hyjë në obligime të fshehta apo të hapura, pa dakordim paraprak me spektrin politik në Kosovë, përkatësisht Kuvendin e Kosovës.

-Aleanca pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, ruajtjen e organizimit aktual të brendshëm kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

-Askush nuk ka mandat të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit, ndërsa debatet e ngritura së fundmi për disa të ashtuquajtura “non paper” nuk janë çështje për diskutim.

-AAK do të kryej të gjitha obligimet lidhur me dialogun si parti opozitare në Parlamentin e Kosovës.

-Nuk duhet të krijomë mekanizma të ndërmjetme dialogues jashtë institucional që nuk parashihen me Kushtetë dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse në këtë mënyrë dialogu mund të avancojë në kahje të gabueshme.

-Si parti kemi qenë konsistentë në ruajtjen e interesave kombëtare dhe në rast se vërejmë tendenca që rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë, do të jemi në mbrojtje të atyre interesave, me gjitha mjetet e mundshme demokratike./TV Malisheva

Share.