Sot janë bërë një javë prej kur në Mjekësinë Sportive, apo ndryshe Klinika Infektive 2, nuk është i shtrirë asnjë pacientë. Por nga 25 nëntori i vitit të kaluar kur u hap kjo klinik për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 e deri në momentin kur u mbyll përkohësisht, aty janë trajtuar mbi 900 pacientë, derisa 140 pacientë që morën trajtim spitalor këtu humbën betejën me pandeminë.

Autoritetet po presin nëse do të ketë rritje të numrit të pacientëve, dhe nëse jo, kjo qendër të kthehet për shërbimet e destinuara.

Rënia e numrit të të infektuarve me COVID-19 ka ndikuar që edhe numri i hospitalizuarve të bie e kështu për dallim nga muajt e kaluar në objektin e Mjekësisë Sportive që ishte destinuar vetëm për trajtim të pacientëve me koronavirus tashmë të gjithë shtretërit janë të zbrazët dhe aparaturat kanë rënë në heshtje.

Menaxheri i kësaj Klinike COVID, Artan Ahmeti ka treguar se javën e kaluar Komiteti i SHSKUK-së mori vendim për mbylljen e përkohshme të kësaj klinike pasi rënie së kërkesave për spitalizim.

Ahmeti thotë se në këtë klinik edhe katër pacientët të cilët ishin të shtrirë u transferuan në Klinikën Infektive ku edhe po vazhdon pranimi dhe trajtimi i pacientëve me koronavirus.

Ahmeti: Rënia e të spitalizuarve ka ndikuar që të mbyllet Mjekësia Sportive

“Prej datës 25 nëntor të vitit të kaluar pra është shfrytëzuar për këta pacientë (me COVID), në fillim kemi pasur një numër të madh të pacientëve, në fund të vitit të kaluar, dhe pastaj janar dhe shkurt ka pasur një rënie të numrit, dhe më pas në mars dhe prill dhe tashmë kemi një numër shumë të vogël të pacientëve të infektuar siç e dini është një numër shumë i vogël i pacientëve që paraqiten pozitiv dhe që njëkohësisht edhe që kërkojnë hospitalizim dhe duke marrë parasysh këtë është ardhur deri tek vendimi i Komitetit që të mbyllet përkohësisht objekti i Mjekësisë Sportive me shpresën që kurrë nuk do hapet për atë për çfarë është shfrytëzuar deri më tani. Prej të mërkurës së kaluar, pra një javë, i kemi pasur katër pacientë të fundit të cilët janë transferuar në klinikat përkatëse dhe vazhdon të pranohen pacientët me COVID vetëm në Klinikën Infektive”, tha ai.

Menaxheri i Klinikës Infektive 2  ka deklaruar se nga nëntori i vitit të kaluar kur u hap ky objekt në këtë klinik janë trajtuar mbi 900 pacientë me një mesatare të qëndrimit të shtrirë deri në 8 ditë.

Ndërsa, numri më i madh i pacientëve të shtrirë në këtë klinik ka shkuar deri në 95, aq edhe sa ka qenë kapacitetet spitalore.

Në këtë klinik ishin të shtrirë kryesisht pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore dhe si pasojë e kësaj, COVID-19 nuk arritën t’i mbijetojnë 140 pacientë që ishin të hospitalizuar.

Ahmeti: Prej hapjes në këtë Klinik janë trajtuar mbi 900 pacientë

“Në këtë klinik prej datës 25 nëntor të vitit të kaluar janë trajtuar mbi 900 pacientë të hospitalizuar këtu që kanë qëndruar me një mesatare të qëndrimit prej 8 ditësh. Pothuajse të gjithë kanë qenë me oksigjenoterapi, pra dihet se shumica e pacientëve që kanë të qenë në gjendje të lehtë në atë kohë nuk janë hosptializuar fare, trajtimin e kanë marr në mënyrë ambulantore apo në shtëpi. Shumica absolute pacientëve të cilët kanë qenë të hospitalizuar këtu kanë qenë pacientë në gjendje të rëndë, dhe duke pasur parasysh se në këtë objekt kemi punuar mjek të profileve të ndryshme shumica e pacientëve që kanë pasur sëmundje shoqëruese si internistike apo të ngjashme janë hospitalizuar në këtë klinik”, theksoi Ahmeti.

Ahmeti tregoi se nëse nuk do ketë rritje të të prekurve me koronavirus, dhe nevojë për hospitalizim, objekti i Mjekësisë Sportive do kthehet për shërbimet e destinuara për të gjithë sportistët.

Ahmeti: Nëse nuk ka rritje të rasteve do kthehet për shërbimet e destinuara

“Ne shpresojmë shumë që kjo mos të ndodh (rritja e pacientëve me COVID), por derisa ekziston ky objekt do shfrytëzohet për pacientët në nevojë… Kjo do pritet për numrin e pacientëve me COVID, nëse nuk do të ketë rritje të numrit (të pacientëve) duhet të kthehet për çka është destinuar”, u shpreh Ahmeti.

Artan Ahmeti  i ka shpalosur edhe disa nga sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë trajtimit të pacientëve për gjatë 6 muajve. Ai ka veçuar situatat kur është dashur të transferohen pacientët në Mjekimin Intensiv për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Ndërsa, sfidues e ka konsideruar edhe hezitimin e pacientëve për të marr trajtim me aparaturat e nevojshme për oksigjenoterapi.

Ahmeti: Përkeqësimi i gjendjes së pacientëve dhe hezitimi për t’u futur në respirator kanë qenë sfiduese

“Problemet më të mëdha kanë qenë kur pacientët edhe përkundër trajtimit maksimal nuk kanë shkuar duke u përmirësuar, duke pasur parasysh që sëmundja COVID është vdekjeprurëse dhe në gjithë botën nuk ka pasur sukses të mirë duke pasur parasysh numrin e madh të vdekjeve në gjithë botën. Pacientët që nuk janë përmirësuar është dashur të transferohen në Mjekimin qendror Intensiv, prandaj ka qenë hezitimi i shumicës prej tyre që mos të futen në aparatura të cilat iu themi respirator, për këtë arsye është dashur të flitet shumë me familjarë dhe pacientë që ta japim trajtimin maksimal për secilin prej tyre”, deklaroi menaxheri i Mjekësisë Sportive.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar vetëm 11 raste të reja të infektimit me COVID-19. Ndërsa, është evidentuar vetëm 1 vdekje. E në vendin tonë po vazhdon vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65 vjeç me dozat e vaksinës AstraZeneca të cilat aleanca COVAX i ka dhuruar për qytetarët e Kosovës. Por Qeveria e Kosovës ende nuk ka nënshkruar asnjë kontratë me kompanitë prodhuese për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit. /TV Malisheva

Share.