Para disa dite në medie qarkulloi lajmi që Akademia e Shkencave e Shqipërisë për vitin 2020 do të ketë prioritet edhe mbrojtjen me ligj të gjuhës shqipe.

Po e filloj me këtë frazë edhe një shkrim të dytë për mosmbrojtjen e gjuhës standarde me ligj dhe kjo frazë na ndihmon që të kemi përpara se përçka ka nevojë gjuha standarde më shumë, sesa për një ligj.

Fillimisht duhet me tregu që standardi nuk ka kurgjo më shumë se varietetet e tjera, përveç prestigjit që të përdoret në domenin publik, si dhe në shkolla e administratë. Pra, është tërësisht i barabartë, vetëm se 1972 e ka ngritur standardin dhe i ka dhënë prestigj për domenin publik, duke i varfëruar dialektet e tjera, të cilat e ndihmojnë atë.

Është thënë prej disa profesorëve universitarë të Kosovës (Paçarizi, Rugova), se ky standard ka nevojë për disa përmirësime të vogla – për të cilat është diskutuar edhe në Këshllin Ndërakademik.

Ndërsa, unë mendoj që gjuha shqipe ka nevojë më shumë për një fjalor të ri, më përmbledhës e më të saktë, sepse ky që është, po del të jetë i varfër, duke marrë parasysh pasurinë që ka shqipja.

Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 2006 (i fundit), ka gjithsej 48.000 fjalë, në të cilin ka fjalë që pak përdoren dhe ka fjalë që shumë përdoren e që fjalori i ka lënë jashtë .

Shumë studiues kanë ngritur dorë edhe ndaj ndikimit të gjuhëve të huaja në shqipe (vecmas anglishtes), mirëpo shqipja nuk ka udhë tjetër të pasurimit, përveç fjalëformimit dhe huazimit.

Standardi duhet te jetë i hapur dhe të mirëpres edhe dialektin e veriut që të përforcohet.

Se gjuha shqipe ka nevojë për një fjalor të ri, po jap disa shembuj që janë lënë jashtë standardit e që me një standard të përmirësuar dhe fjalor më prmbledhës do të duhej të ishin brenda.

P.sh. Standardi ka lënë jashtë mbiemrat: i kulluem, i lëmuem, sigurisht për shkak të togut ue, por që kjo është një pasuri, sepse këta mbiemra shprehim një gjendje dhe jo mbiemra participorë me kuptim të shkuar, sepse është shumë ndryshe kur themi ‘’i kulluem’’, ‘’i lëmuem’’ dhe ndryshe ‘’i kulluar’’, ‘’i lëmuar’’. Ka nuanca kuptimore.

Ose kemi emrin ‘’lumni’’ i cili në standard është ‘’lumturi’’ dhe janë sinonime. Pra, emri ‘’lumni’’ nuk mund të barazohet me emrin ‘’lumturi’’.

Një ditë prej ditësh, seç po lexoja një novelë, më ra rasti ta lexoj edhe fjalinë “Drusoret në pyllin e Markut janë të gjata e të drejta”. Nënvizova fjalën ‘’drusore’’ që sipas mendimit tim është tërësisht krijim artificial, dhe që standardi e ka lënë jashtë fjalën “drunore”, tipike për këtë shembull dhe se ka një shpjegim logjik.

Shembuj.: Dru-druni-druri-drunore dhe jo drusore.

Grun-grur-grunore dhe jo grurore

Blini-bliri-blinore dhe jo blirore

Ranë -rërë -ranor

Za-zë -zanor dhe jo zaror, etj.

Pra, duhet gjetur rruga që të futen këto dhe shumë fjalë, duke pranuar tiparet dialektore me të cilat hynë ato.

 

Share.