Edhe në Shqipëri, duke nisur nga sot (1 qershor) hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid, pas rënies së numrit të rasteve aktive në këtë virus.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi masat e lehtësuara, teksa bëri të ditur se ora policore, e cila fillon në orën 23:00 deri në 06:00, do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Lehtësimi i masave, ndër të tjerash, do të përfshijë heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme.

“Hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme. Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Ora policore shtyhet në 23:00-06:00, klubet e natës, diskot vijojnë të mbeten të mbyllura, muzika do të lejohet deri në orën 22:00”, ka bërë të ditur ministrja Ogerta Manastirliu.

Për çështjen e masave të reja anti-Covid dhe mbetjen në fuqi të orës policore, pati reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në Twitter, ai shkroi: “Kush bën krahasime me vendet e tjera për orën policore antiCovid, të mos harrojë se prej disa kohësh tanimë jemi në krye të klasifikimit në Europë për ultësinë e nivelit të infektimeve e të humbjeve të jetës! D.m.th. e dimë mirë atë që bëjmë dhe nuk do të biem në kurthin e euforisë!”.

Shqipëria, po ashtu, po vazhdon me procesin e vaksinimit, të nisur intensivisht muaj më parë./TV Malisheva

Share.