Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë sot dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) përmes një statusi në Facebook.

“Tashmë është kryer vaksinimi me dozën e dytë të vaksinës Astra-Zeneca për qytetarët të cilët e kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Kukës. Ndërsa sot ishte dita e parë e vaksinimit me dozën e dytë për qytetarët që janë vaksinuar në Kosovë”, thuhet ndër tjera në postim.

MSH shpreh mirënjohje për profesionistët mjekësorë dhe stafin mbështetës për përpjekjet e vazhdueshme për t’u marrë me secilin aspekt kompleks të vaksinimit COVID-19.

Kurti më 29 mars mori dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit. Në një adresim të shkurtër para mediave, ai pati deklaruar se me këtë veprim dëshiron t’i inkurajojë edhe qytetarët e tjerë që të vaksinohen dhe “t’i heqin dilemat ndaj vaksinimit”.

AstraZeneca, si shumica e vaksinave të zhvilluara në perëndim, jepet në dy doza.

Vaksina e AstraZeneca dhe universitetit të Oksford thuhet se është 76 përqind e efektshme kundër COVID-19./TV Malisheva

Share.