Kosova të mërkurën në mbrëmje ka pranuar donacion 10 mijë vaksina anti-COVID nga Kroacia.

Ardhjen këtyre vaksinave në Kosovë e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai ka bërë të ditur se vaksinat janë të kompanisë prodhuese AstraZeneca.

Këtij kontingjenti të vaksinave i ka paraprirë një marrëveshje në mes të ambasadoren së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq dhe ministritë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërsa lajmin për këto 10 mijë vaksinat anti-COVID për qytetarët e Kosovës kishte dhënë ministri i Jashtëm kroat ,Gordan Gërliq Radman gjatë vizitë që zhvilloi në Prishtinë në fillim të majit. Ai gjatë qëndrimit në Kosovë ishte takuar me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla.

Aktualisht në Kosovë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65 vjeç, ndërsa deri tani në gjithë territorin e Kosovës janë vaksinuar 90 mijë qytetarë, ku vetëm brenda 24 orëve janë vaksinuar në nivel vendi 3 mijë e 730 persona.

Vaksinimi anti-COVID është duke u realizuar me vaksinat e dhuruara nga aleanca COVAX. Ndërsa, Kosova në fund të muajit të kaluar ka nënshkruar kontratë me Pfizer për blerje të dozave të vaksinës. Ndërsa, autoritetet shtetërore të shëndetësisë kanë paralajmëruar nisjen e vaksinimit masiv nga 15 qershori. /TV Malisheva

Share.