Rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike i janë drejtuar këtë të diel qendrave të votimit, në 76 qendra në të gjithë Shqipërinë, ku do të votojnë për kryetarin e ri të kësaj force politike.
Një garë e fortë mes katër kandidatëve, atij aktual Lulzim Basha, Edit Harxhit, Agron Shehajt dhe Fatbardh Kadillit.
Anëtarësia iu drejtua kutive të votimit rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe votimit do të mbyllet në 19:00, për të vijuar më pas me numërimin e fletëve të votimit.
Kreu aktual i PD-së, Lulzim Basdha ka votuar ditën e sotme në selinë blu ku dha edhe një deklaratë të shkurtër për mediat.
Ai u shpreh se po zhvillohet një proces pozitiv, ku një anëtar ka të drejtën e një vote, duke theksuar se është vlerë e shprehjes së lirë. Basha nuk la pa përmendur edhe betejën e PD-së, në kundërshtim të qeverisë, ku sipas tyre do të bjerë poshtë regjimi Rama-Doshi.
Kandidati tjetër që është në garë për postin e kreut të PD-së, Fatbardh Kadilli ka votuar në selinë blu, nga ku ka bërë thirrje demokratëve për pjesëmarrje në votim, ndërsa thekson se gara është e pabarabartë.
Kandidati tjetër për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkruan se në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e tij po përjashtohen, po ndalohen ose po pengohen të monitorojnë procesin e votimit. Ai akuzon se po votohet pa asnjë kontroll!
Kandidatja Harxhi hodhi votën e saj në njësinë nr. 5, në Tiranë, nga ku u shpreh se procesi ka pasur parregullsi të mëdha, duke shtuar më tej se gjysma e anëtarëve të PD-së nuk gjejnë emrat e tyre në lista./TV Malisheva