Kupa “Nëna Terezë”, tashmë nuk është vetëm një ide, mirëpo kjo kupë pritet t’i bëjë bashkë ekipet e futbollit nga dy shtetet shqiptare, ato nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Kjo kupë shihet si alternativa e vetme për të pasur një kampionat mbarëshqiptar, si nga Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF), ashtu edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), mirëpo për t’u realizuar një gjë e tillë, dy federatat duhet të marrin leje nga FIFA dhe UEFA.

Tashmë dokumentacioni me projektin në fjalë është dorëzuar dhe krerët e FSHF-së dhe FFK-së, janë në pritje të një përgjigje pozitive në mënyrë që ky aktivitet të fillojë qysh nga sezonin 2020/21, shkruan KosovaPress.

Në këtë kupë, parashihet të marrin pjesë të gjitha ekipet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së dytë të të dyja vendeve.

Aktualisht kategoria superiore e Shqipërisë ka dhjetë ekipe dhe e Kosovës ka dymbdhjetë. Kategoria e parë e Shqipërisë ka aktualisht 20 ekipe dhe kategoria e parë e Kosovës ka 16. Kategoria e dytë e Shqipërisë ka aktualisht 26 ekipe, ndërsa e Kosovës, 16 sosh.

Në total pjesëmarrës në këtë kupë pritet të jenë rreth 102 ndeshje, ku do të zhvilloheshin më shumë se 200 ndeshje në total.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu për KosovaPress, është shprehur se në këtë kupë do të jenë të involvuara të gjitha klubet e futbollit si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova.

Salihu: Të gjitha klubet do të marrin pjesë në këtë kupë

 

“Sigurisht do të udhëhiqet nga një komision mix, por ajo që është me më rëndësi është që kjo kërkon kosto të veçantë. Të gjitha klubet do të jenë të involvuara, domethënë edhe Ligat e Treta, ligat regjionale do të luajnë, në Kupë vajtje ardhje kështu që do të ishte shumë interesante me shku nga këtu në Gjirokastër…Krejt magjia e këtij bashkëpunimi është që të jemi të sinqertë, që edhe klubet shqiptare të kuptojnë pak realitetin kosovar, të vinë pak të njoftohen me popullatën, të ketë aty dashuri miqësi ashtu siç propanon edhe emri “Nëna Terezë”, i këtij formati të kupës”, tha fillimisht Salihu.

Salihu u shpreh se dy federatat janë duke punuar që të gjitha shpenzimet e skuadrave të hiqen, duke kërkuar ndihmë edhe nga dy qeveritë, si nga ajo e Shqipërisë por edhe e Kosovës.

Salihu: Do të mundohemi t’i heqim shpenzimet e klubeve

 

“Ne do të ndihmojmë, pikërisht për këtë arsye edhe presidenti Duka dhe Ademi kanë potencuar që do të gjejnë sponsor, qeveria, federatat në mënyrë që klubet mos me i rëndu. Pra esenca është që klubet me shiju këtë format të ri të garave, jo që ti ngarkojmë ato me këste shtesë”, shtoi ai.

Sekretari i Federatës të Futbollit të Kosovës, gjithashtu bëri me dije se janë duke munduar që fituesi i kësaj kupe të mund të marrë pjesë në garat evropiane.

Salihu: Shpresojmë që fituesi të marrë pjesë në garat evropiane

 

“Sa do të jetë kjo e realizueshme nuk e di, ndoshta nëse merremi vesh të dyja federatat të gjejmë një vend, por është me rëndësi që faktori financiar, që ekipi i parë, i dytë, i tretë ashtu siç vendosin të kenë një fitim, një shpërblim të majm, kështu financiar për çka do të interesoheshin pastaj klubet, sepse sistemit të kupës nuk i dihet kurrë.”, përfundoi Salihu.

Ndërkohë që drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina e sheh këtë kupë si pozitive për klubet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ai ka theksuar se kosto financiare mund të jetë një pengesë, në realizimin e suksesshëm të kësaj kupe.

Morina: Kupa “Nëna Terezë” ide e qëlluar

 

“Mendoj që është e mirë për arsye se rritet konkurrenca, klube ka më tepër, konkurrenca është më e madhe, mirëpo edhe dalin gjëra tjera të cilat munden me qenë pengesë. Në radhë të parë është kosto financiare sepse udhëtimet kanë me qenë shumë më të gjata, kanë me pas nevojë klubet me shku një ditë ose dy para ndeshjes në qytetet respektive, etj. Në përgjithësi nga ana sportive është një hap mjaft i madh, mjaft i qëlluar edhe një hap i cili vetëm shkon në favor të futbollit”.

Ai gjithashtu theksoi se klubet duhet të mësohen që të luajnë në shumë fronte, në mënyrë që të kenë mundësi ta shijojnë arenën ndërkombëtare.

Morina: Duhet të investojmë më shumë në klube

 

“Mirëpo dal nga dalë ne duhet të mësohemi edhe më këtë ritëm, sepse unë shpesh e kam përdorur një fjalë, kur të pranohemi në UEFA më nuk luajmë ne me muzikë që e bëjmë ne, por luajmë me muzikën që e bënë UEFA. Kështu që deshëm apo nuk deshëm ne duhet ti përshtatemi këtij ritmi, duhet me u profesionalizu edhe më tepër, duhet me u rrit fondi i lojtarëve sepse me luajt në tre fronte nuk është lehtë, është shumë e vështirë, shumë e kushtueshme dhe shumë e kërkueshme, mirëpo mendoj që për futboll  dhe për ngritjen e futbollistëve të të dyja anëve është shumë ide e qëlluar.

Edhe analisti tjetër i futbollit, Muhamet Dragusha e sheh këtë kompeticion si një ide mjaft të qëlluar, dhe shpreson që kjo do të jetë një rrugë më shumë që ekipet e të dyja shteteve të paraqiten në Evropë.

“Një ide e qëlluar për të filluar bashkimin e futbollit mbarë kombëtar, mendoj se në qoftë se aprovohet nga FIFA do të ketë një interesim të madh pasi vendi i parë dërgon në UEFA, kështu që unë pajtohemi parimisht më këtë ide dhe besoj që mund të jetë rrugë e mirë dhe një mundësi më shumë për pjesëmarrje në garat evropiane”, tha shkurtimisht Dragusha.

Kujtojmë që ditëve të fundit, përpos Kosovës dhe Shqipërisë edhe shtetet si Holanda dhe Belgjika kanë shprehur një ide të ngjashme, duke propozuar në UEFA, ligën e përbashkët./TV Malisheva /

Share.