Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se kanë kryer të gjitha përgatitjet për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin dhe se së shpejti do të arrijë edhe kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer të kontraktuara nga Kosova.
“Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit. I kemi siguruar vaksinat, kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Për më tepër, ministri Vitia ka shfaqur bindjen se pas procesit të vaksinimit qytetarët e Kosovës do të jenë më të mbrojtur, teksa i ka ftuar ata të ndjekin informacionet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit./TV Malisheva