Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16 Qershorit-Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, sot në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, është hapur ekspozita kolektive, e cila ka edhe karakter garues, e piktorëve të cilët kanë marrë pjesë në këtë garë.

Në hapjen e kësaj ekspozitë, krahas piktorëve dhe artdashësve, ishin të pranishëm dhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i DKRS-ës, Rexhep Mazrreku dhe zyrtarë tjerë komunal.

“Kjo ekspozitë dhe kjo garë është tradicionale, dhe ne ju përgëzojmë për vlerat e larta artistike që i keni shfaqur në veprat e juaja, e të cilat kryesisht lidhen me historinë tonë. Në emër të Komunës së Malishevës, në emër të kryetarit Begaj dhe në emrin tim, ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje në këtë aktivitet artistik, që zhvillohet në kuadër të shënimeve për ditën më të rëndësishme për Malishevën”, tha mes tjerash në fjalën e hapjes nënkryetari Berisha.

Edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Mazrreku, në fjalën e tij, i ka falënderuar dhe i përgëzuar të gjithë artistët pjesëmarrës, pasi me pjesëmarrjen e tyre e  kanë madhështuar shënimin e datës më të rëndësishme për Malishevën.

Në emër të fituesve të kësaj ekspozite, profesor Hajrush Fazliu, pasi i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit, e të cilët janë kryesisht ish studentë të tij, tani ligjërues apo mësimdhënës të artit, e lavdëroi edhe komunën për investimet në fushën e artit, dhe në fund profesor Fazliu, u deklarua se çmimin e fituar, drejtoria përkatëse ta dhuroj për bamirësi.

Përndryshe, në këtë garë të artit, vendin e parë e fitoi piktori Jetmir Morina, vendin e dytë, Hajrush Fazliu dhe vendin e tretë Agim Morina. /TV Malisheva

Share.