Mbi katër milionë të vdekur janë regjistruar në tërë botë nga CoViD-19. Dy milionë të vdekur janë regjistruar për një vit, ndërsa dy milionë të tjerë kanë humbur jetën për një periudhë kohore prej 166 ditësh.
Kjo është bërë e ditur në një analizë të publikuar nga Reuters, ku thuhet se top vendet me numrin më të lartë të vdekjeve gjatë pandemisë janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, India dhe Meksiko, të cilat njëherazi përfaqësojnë 50 për qind të vdekjeve totale nga CoViD-19.
Ndërsa, në raport me popullatën e tyre, vendet me më së shumti të vdekur janë: Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari.
Në spitalet e vendeve si Bolivi, Kili dhe Uruguai, shumica e pacientëve kanë qenë midis moshave 25 deri në 40 vjeç. Ndërsa, në Brazil, 80 për qind e të hospitalizuarve në njësitë e kujdesit intensiv janë pacientë me CoViD-19.
India dhe Brazili janë vendet që po raportojnë më së shumti vdekje në ditë. Madje, këto dy vende po djegin kufomat e atyre që po humbin jetën nga CoViD-i, si pasojë e mungesës së hapësirës për varrim.
Sipas OBSH-së, numri i viktimave si pasojë e CoViD-it është akoma më i lartë.
Në Samitin e G7, liderët e vendeve më të fuqishme në botë janë zotuar që t’i sigurojnë 1 miliardë vaksina, për t’i ndihmuar vendet e varfëra që të vaksinojnë popullësinë e tyre./TV Malisheva