Bujqësia është njëra ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë, megjithëse mbetet shqetësuese prodhimi i ulët i produkteve bujqësore në vend dhe trendi i lartë rreth 200 milionë euro i importit të këtyre produkteve nga vendet e huaja.

Kështu tha në tryezën me temë “Importi dhe eksporti I produkteve bujqësore dhe blegtorale në Kosovë”, organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës ku mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë Faton Peci.

Ministri Faton Peci para afaristëve bujqësorë theksoi se për dhjetë vjet nuk ka pasur avancim të legjislacionit në sektorin e bujqësisë, për çka veçoi milionat e shumtë për subvencionet dhe grantet nuk patën efektin e vet.

Ai tha se në periudhën 90 ditësh të qeverisjes kanë ndërmarrë një mori hapash dhe aktivitetesh për avancimin e politikave programore, dhe premtoi se të gjitha shqetësimet dhe brengat e bizneseve në sektorin e bujqësisë do të trajtohen me prioritet nga Ministria e Bujqësisë.

“Fatkeqësisht fokusi në dhjetë vjetët e fundit në sektorin e bujqësisë ka qenë kryesisht në subvencione dhe grante, mirëpo subvencionet dhe grantet pavarësisht që vlera e tyre ka qenë përafërsisht 50 milionë euro në vit, kjo nuk përkthehet në aspektin e ekonomisë. Kështu që nuk e kanë treguar një rezultat në aspektin e përmirësimit të bilancit tregtar… Takimet që më së shumti i preferoj në kuadër të angazhimeve ditore janë me afaristë dhe komunitetin e biznesit për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Si ministër, brengat dhe vështirësitë qofshin ato barriera administrative dhe të tjera, do t’i adresojmë nëpërmjet ministrisë në qeveri”, theksoi Peci.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi duke prezantuar hulumtimin mbi të dhënat statistikore rreth produkteve bujqësore dhe atyre blegtorale të paraqitura në vlerat sasiore dhe në shumën financiare përgjatë tri vjetëve të fundit me ç’rast ka bërë një krahasim në mes të eksportit dhe importit, rritjes së granteve dhe subvencioneve si dhe sigurisë së produkteve, tregut dhe qëndrueshmërisë së bizneseve në këtë sektor.

Krasniqi tha se fatkeqësisht vlera e importit të produkteve bujqësore dhe blegtorale vetëm vitin e kaluar ishte rreth 200 milionë euro, ndërsa eksporti mbi 11 milionë euro.

Për këtë ai tha se bujqësia e zhvilluar është një nga faktorët e sigurisë së vendit, pasi e bën atë më pak të varur nga vendet e tjera.

Për këtë arsye, Krasniqi theksoi se bujqësia duhet të mbështetet dhe subvencionohet dhe bëri të ditur se me anë të një memorandumit me Ministrinë e Bujqësisë do të ofrojnë një ofertë serioze për rritjen e prodhimit të bujqësisë në vend.

“Do ta realizojmë një memorandum bashkëpunimi, ku bashkërisht ne jemi të gatshëm dhe kemi shprehur vullnetin që të bashkëpunojmë dhe të krijojmë një ofertë sa më të mirë për bizneset në mënyrë që të kemi zhvillim dhe rritje më të madhe të prodhimit. Në bazë të statistikave prodhimi është shumë i vogël në krahasim me importin që ne e bëjmë“, tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i kompanisë “Pestova”, Kushtrim Ajvazi pjesëmarrës në këtë tryezë, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë përkrahje për sigurimin e kulturave bujqësore dhe heqjen e akcizës së derivateve për fermerët bujqësor.

“Nëse krahasojmë periudhën prej pas luftës e deri më tash, ka pasur një avancim të mjaftueshëm në përkrahjen e bizneseve në industrinë e produkteve ushqimore, mirëpo ne jemi një industri me të cilën përballemi vazhdimisht me natyrën dhe kërkesat tona të vazhdueshme kanë që të paktën të na ofrohet mundësia e sigurimit të kulturave bujqësore, sepse kemi dëme të jashtëzakonshme vazhdimisht ndër vite. Ne e kemi të pamundur të sigurojmë ato kultura bujqësore. Një prej kërkesave bazike të vazhdueshme ka qenë kjo dhe vazhdon të jetë, sepse ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Dhe një kërkesë tjetër është heqja e akcizës në derivate për fermerët dhe industrinë përpunuese”, u shpreh Ajvazi.

Edhe përfaqësuesi i fabrikës së qumështit “Vita” Kushtrim Tigani ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë për plasimin e produkteve në treg.

Në anën tjetër, në bazë të hulumtimit të OAK-ut, rritja e importit nga viti 2018 deri 2019 ishte 29.76%, me një ulje të lehtë të importit nga viti 2019 deri 2020 vetëm 0.37%. Ndërsa, rritja e eksportit nga 2019 deri 2020 ishte 7.11%. Shkaku i deficitit të lartë tregtar, OAK ka drejtuar kërkesat në vazhdimësi Ministrisë së Bujqësisë për të pasur një zhvillim më të madh të bujqësisë. /TV Malisheva

Share.