Kryetari i PD-së, Lulzim Basha për herë të parë ka pranuar se do të jetë pjesë e parlamentit të ri shqiptar në shtator.

Ai teksa ndodhej në asamblenë e partive popullore evropiane në Bruksel, deklaroi se lufta e PD do të jetë si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bandë plaçkitësish që e kanë marrë peng demokracinë e vendit. Dhe në funksion të kësaj ne do të bëjmë gjithçka brenda dhe jashtë parlamentit, brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që Shqipërisë një orë e më parë t’i kthehen kushtet dhe mundësitë për një demokraci funksionale nga e cila varet pastaj gjithçka: rendi dhe siguria, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe dhënia fund e hemorragjisë së emigracionit së të rinjve”, tha Basha.

Duke folur mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, Basha deklaroi se manipulimi i këtij procesi do të ndikojë dhe në rrugëtimin evropian të vendit.

“Zgjedhjet janë një nga kriteret më të rëndësishme për rrugëtimin evropian të çdo vendi. Ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me demokracinë ndërkohë që 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme për ne, për Partinë Demokratike sepse nga njëra anë ne e dimë fare mirë se ndryshimi në Shqipëri mund dhe do të vije vetëm përmes procesit të integrimit evropian të vendit. Nga ana tjetër procesi i integrimit evropian të vendit nuk mund të ecë përpara me një vend ku qeveria në vend që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është kapur për herë të dytë në flagrancë duke manipuluar në mënyrë masive dhe sistematike zgjedhjet që nga vjedhja e të dhënave personale të shtetasve tek keqpërdorimi i administratës tek intimidimi”, u shpreh Basha.

Basha nënvizoi se ka marrë një mbështetje të madhe nga partitë popullore evropiane për betejën që ai ka nisur për t’i rikthyer demokracinë Shqipërisë./A2/TV Malisheva

Share.