Një 30-vjeçar nga Fieri dje është mes drejtuesve të mjeteve që janë ndëshkuar nga Policia Rrugore në 24 orët e fundit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas policisë, personi në fjalë, me një makinë tip Audi, është pikasur duke ecur me një shpejtësi 180 km/h në aksin Levan – Vlorë, ku vetëm pak ditë më parë një familje me 4 anëtarë u shua për shkak të një aksidenti tragjik.
Policia tha se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti te pa pajisur me leje drejtimi. Janë pezulluar gjithsej 67 leje drejtimi, nga të cilat 39 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2881 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mos vendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mos rregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë./tch/TV Malisheva