Banja e Malishevës është fshati i dytë më i madh në Malishevë. E pozicionuar mu në qendër të Kosovës, ky fshat ka rreth 6000 banorë. Por, ajo që ia shton “reputacionin” Banjës janë ujërat termalë që posedon ky vend. Shumë njerëz mund të kenë dëgjuar për këtë vend, por pa vrarë mendjen se ky burim mund të shërojë semundje të ndryshme të lëkurës dhe të organizmit të brendshëm.
“Uji është shërues për puçrrat në lëkurë, po edhe kom has që iu ka ndihmu edhe atyne qe i kanë të thatat në organizëm të brendshëm, kom pa që marrin ujë me vete 5-10 litra ujë”, na tha Muhamet Shala, profesor i historisë dhe banor i fshatit Banjë.
Përveçse mjeksisë tash, në të kaluarën i shërbeu mullirit dhe bujqësisë
Siç tregon profesori Shala, këto ujëra së pari janë vënë në shërbim të mullinjve të ujit, ku është krijuar një lloj bazeni duke rrethuar murin me anë të gurëve. Krahas mullinjve, uji në këtë vend poashtu është shfrytëzuar nga fshatarët për ujitjen e tokave bujqësore.
“Ujitja është ba në dy rrjedha. Njëra rrjedhë u ka shërby tokave të fshatarëve të Begajve, Hazrrollve dhe ni pjesë të Telakve, kurse rrjedha tjetër u ka shërby Shurdhanve, Maliqve etj.”, tregon profesori për historinë e këtij burimi.
Në këtë vend uji buron me shpejtësi prej 350 litra në sekond, kurse temperatura është konstante, ku gjatë verës dhe dimrit uji ka temperaturë 22 gradë C.
Ky burim që dikur shfrytëzohej për agro-kulturë, tani shfrytëzohet edhe si qendër rekreacioni e argëtimi, si nga banorët e Malishevës por edhe jashtë saj.
Ekipa e tashmë pishinës së Banjës përbëhet nga dy zhytësa(shpëtimtarë), dy pastrues dhe puntorët e arkës, të gjithë këta banorë të Banjës.
Mjekët “deportojnë” pacientët në Banjë
Ragip Limaj, njëri nga puntorët në arkë, i bëhet ‘zemra mal’ derisa na tregon për vetitë shëruese të ujit.
“Ktu vijnë prej krejt qytetev t’Kosovës me marr ujë. Asht e vërtetune prej mjekve që uji asht shërus, bile me rekomandim t’mjekut ni foshnjes prej Suharekës ja kan ndalu barnat e kan sjell ktu për shkak t’ni sëmundjes t’lëkurës. Asht tu ardh edhe ni djalë i ri, nga Prizreni për mi hek puçrrat, 22 vjeçar, ka ardh s’bashku me familjen”, e vazhdon tregimin ai.
Rrezet e diellit të cilat bien në gurët që gjenden në fund të pishinës, krijojnë një diversitet ngjyrash mahnitëse. Kjo patjetër që do tërhiqte edhe më shumë vizitorë, por që i mungojnë investimet, e ajo që vihet re më së shumti është mungesa e zhveshtoreve.
Në të kaluarën Banja ka qenë nën administrimin e Komunës së Suharekës, e cila ka mbikëqyrur punën në pishinë, ku prej viteve ’90 banorët e Banjës e kanë hyrjen pa pagesë.
Të liruar nga pagesa janë edhe studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët në mënyrë grupore mund të organizohen ta vizitojnë pishinën e Banjës.
Banorët e Banjës i njoh veç me i pa, nuk kanë puçrra, prandaj!
Pasi që banorët e Banjës janë të liruar nga pagesa, Ragipi na tregon sesi nuk ka aspak nevojë t’i tregojë askush se nga vijnë vizitorët. Ai i njeh, jo se i ka parë më herët apo se jetojnë në të njejtin vend, ai ka një taktikë të tijën sesi ai e bën këtë dallim.
“Un i njoh krejt banort e Banjës, krejt thojn qysh i njeh, i njoh se krejt tjert sidomos adoleshent kan puçrra e t’Banjës nuk kan. Nuk kan se uji asht shum i mir edhe ndihmon me i parandalu edhe mi hek ato. Fmia 2 vjet vjen ktu e lahet”.
Gara memoriale “Esmir Shala”
Tash e disa vite radhazi, në përkujtim të Esmir Shalës, ish-notues i Klubit të Notit “Besa” nga Banja dhe ish-reprezentues i Kosovës, zhvillohet gara memoriale që mban po këtë emër.
Gara zhvillohet çdo vit në hapësirat e pishinës së Banjës, ku zhvillohen garat për femra dhe për meshkuj. Shumicën e edicioneve i ka fituar Klubi i Notit “Besa” nga Banja.
“Uji asht i ran, garuesit e Banjës ktu jan msu e per ata gjith dalin t’part n’gara”, thotë Ragip Limaj.
Gara në not poashtu zhvillohen çdo vit edhe nga veteranët e notit.
Bazeni i Banjës daton përafërsisht nga shekulli XIV-XV, duke u vënë së pari në shërbim të mullinjve, pastaj në agro-kulturë e tani në atraksion por edhe në mjekësi. Rrjedha e tij është vazhdimësi e lumit Mirusha nga i cili krijohet atraksioni i ujëvarave të Mirushës. /TV Malisheva