Nga Agjencia Kundër Korrupsion kanë bërë të ditur se nuk është bërë asnjë gabim sa i përket formularit të deklarimit të pasurisë së ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi. Poashtu nga AKK thonë se gabim nga kjo agjenci nuk është bërë as në të dhënat e deklarimit të pasurisë për Xhavit Halitin.
Sipas, Agjencisë formulari i dorëzuar në Agjenci është i njëjti me atë në uebfaqen, e ku figuron se Arta Rama-Hajrizi ka mbi 6 milionë euro në bankë. Arta Rama-Hajrizi mbrëmë ka thënë se shuma në bankë është mbi 6300 euro dhe se është bërë një lëshim në plotësimin e formularit.
“Gjatë procesit të pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë, janë identifikuar gabime të ndryshme teknike apo edhe formularë të pakompletuar, me ç’rast Agjencia në raste të tilla ka kontaktuar me zyrtarët me qëllim të kompletimit të të dhënave në formularët e deklarimit. Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në komunikatën për media.
AKK tregon për rastin e deklarimit të pasurisë së Xhavit Haliti, për çka ai të martën reagoi duke thënë se i janë ngatërruar të dhënat e tij me ish-deputetit Xhavit Ukaj.
“Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër. Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e AKK-së./TV Malisheva