Oda e Afarizmit të Kosovës, në kuadër të organizimit të “Kafesë së mëngjesit”, ka zhvilluar sot një takim me komunitetin e biznesit nga Komuna e Prizrenit, me të cilët ka biseduar mbi problemet me të cilat përballen bizneset, infrastrukturën ligjore, ekonominë informale dhe problemet me hapësirat në zonat ekonomike.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, tha se qëllimi kryesor i këtij takimi është diskutimi në detaje i problemeve me të cilat po ballafaqohet komuniteti i biznesit në Prizren.

Në kuadër të këtij aktiviteti të përbashkët përfaqësuesit e bizneseve, paraqitën problemet e tyre, shkëmbyen përvojat si dhe kishim mundësi për diskutim të hapur.

Ramadan Gashi nga “AG Group” theksoi se disa nga çështjet kryesore të cilat duhet të dërgohen përpara është luftimi i informalitetit, përkrahja e shkollave profesionale dhe nxjerrja e kuadrove profesionale, si dhe normat e kredive të jenë më fleksibile.

Arben Gashi nga “A&< Financial Consulting” paraqiti problemin me dhënien në shfrytëzim të hapësirave në parkun inovativ të biznesit në Prizren dhe qirave të shtrenjta të cilat janë duke u aplikuar aktualisht.

Ndërsa Edina Buleci nga “Buleci Group”, theksoi nevojën e jashtëzakonshme të Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili do të funksionalizonte ekonominë formale dhe do të luftonte informalitetin.

Të pranishmit në këtë aktivitet patën mundësinë të diskutonin hapur dhe të parashtronin pyetje rreth çështjeve me interes, përderisa problemet të cilat paraqitën mbeten të adresohen në institucionet lokale dhe qendrore./TV  Malisheva

Share.