Paraditen e sotme ka mbërritur kontingjenti i vaksinave nga Norvegjia falë transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Në pranimin e vaksinave në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të pranishëm ishin: ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grondahl dhe udhëheqësi i sektorit për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.

Ministri Vitia shprehu mirënjohjet më të sinqerta për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë dhe BE-së në përballjen me COVID-19, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik. Ai shtoi se solidariteti mes vendeve mike në kohën e pandemisë së COVID-19 tregon se sa e rëndësishme është për ne të jemi kohezivë në procesin e imunizimit, sepse është forma më e mirë për të dalluar fitoren kundër Virusit COVID-19.

Ambasadori Grondahl theksoi se është obligim njerëzor të jemi pranë njërit tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së BE-së, Brusa u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe theksoi se Bashkimi Evropian do të qëndrojë përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë me COVID-19 dhe se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e sektorit shëndetësor./TV Malisheva

Share.