I nisur në vitin 2014, Procesit të Berlinit pas shtatë vjetësh po i vjen fundi. Sot, në takimin e fundit ndërmjet kancelares së Gjermanisë Angela Merkel dhe gjashtë kryeministrave të Ballkanit Ballkanik pritet të arrihet një marrëveshje e përbashkët për lirinë e lëvizjes vetëm me kartela të identitetit dhe njohjen e diplomave universitare për të mundësuar lirinë e lëvizjes së fuqisë punëtore në rajon.

Megjithatë, me përfundimin e mandatit të kancelares Merkel, primatin e kësaj nisme pritet ta merr vetë Bashkimi Evropian, siç është paralajmëruar muajin e kaluar në Samitin e Tiranës nën praninë e komisionarit për Zgjerim Olivier Varhelyi. Kësisoj, tentativa e një mini-Shengeni ballkanik nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk po shihet si alternativë e këtij procesi.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Besnik Vasolli ka thënë se pret që në takimin e sotëm virtual të arrihen disa nga marrëveshjet që janë negociuar tash e disa vite.

“Sot shënohet përfundimi i Procesit të Berlinit, ashtu si e njihnim nën mbikëqyrjen e kancelares Merkel, pasi mandati i saj shumë shpejtë pritet të përfundojë. Ky është edhe takim lamtumirës, por edhe përmbledhës, pasi ka për qëllim t’i rrumbullakon edhe disa marrëveshje të cilat kishin filluar tash e sa kohë të negocioheshin. Ato kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjeve vetëm me kartela të identitetit, por edhe njohjen e certifikatave, diplomave universitare dhe shkollave profesionale. Kjo do të mundësonte edhe lirinë e lëvizjes të fuqisë punëtore më të lehtë”, tha Vasolli.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kujton se Procesi i Berlinit ka pasur për qëllim pajtimin e rajonit dhe zhvillimin ekonomik, por ajo paralajmëron se pas përfundimit të tij nuk ka hapa konkretë për ndërmarrjen e iniciativave të reja për mënyrën si do të zëvendësohet i njëjti.

“Kjo u pa si iniciativë i afron vendet e Ballkanit Perëndimor edhe njëjtën kohë i ndihmon drejtë rrugës së BE-së dhe zhvillimit ekonomik. Në thelb të kësaj iniciativë është edhe pajtimi ndërmjet vendeve që natyrisht ka të bëjë edhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ku Procesi i Berlinit ka mbështetur këto vende në rrugën e tyre drejtë pajtimit dhe zhvillimit ekonomik, si baza të tyre drejtë integrimit evropian…Nuk ka hapa konkretë drejt këtyre iniciativave të reja, janë përmendur shumë herë, por nuk ka diçka që mund të ketë një përmbajtje apo diçka që ta analizojmë në aspektin se apo zëvendësohet Procesi i Berlinit, apo thjesht janë ide të reja që mund ta komplimentojnë procesin apo ta zëvendësojnë në të ardhmen. Megjithatë ky proces mbetet i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për marrëveshjet e normalizimit Kosovë-Serbi, si dhe ndihmës që po e jep ky proces në zhvillimin ekonomik”, tha ajo.

Vasolli thotë se si zëvendësim i Procesit të Berlinit pritet të jetë nisma për bashkëpunim rajonal, kryesuar nga BE-ja, e jo ndonjë nga nismat rajonale, siç është tentativa për mini-Shëngen rajonal.

“Tash duhet të shohim çka ndodh me udhëheqjen në Gjermani, kush do të udhëheqë atje pas zonjës Merkel, të shohim si do të vendosin ata të trajtojnë Ballkanin Perëndimor. Sipas të gjitha Procesi i Berlinit do të transferohet në Bruksel, ku institucionet e BE-së e marrin përsipër adresimin e marrëveshjeve dhe proceseve që janë nis aty. Një shenjë e mirë është edhe kjo nisma për bashkëpunim rajonal, ekonomik e cila është përmendur në Tiranë kur ishte edhe komisionari Varhelyi. Mendoj se kjo është alternativa më e mirë për rajonin, aty ka fonde janë përmendur 30 miliardë euro fonde për Ballkanin Perëndimor, por me parakusht që shtetet të bashkëpunojnë si rajon dhe jo të shkojnë ndara…Mini-Shëngeni nuk do të ketë perspektivë në mënyrën si është bërë edhe pse në këtë nismën evropiane ka ngjashmëri. Por besoj se kjo do të mbetet në hije dhe do të harrohet edhe si iniciativë”, tha Vasolli.

Në këtë samit virtual të organizuar nga kancelarja Merkel marrin pjesë gjashtë vendet ballkanike: Shqipëria, Kosova, Maqedoni Veriore, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Konferenca e parë është mbajtur në vitin 2014 dhe ndër vite janë financuar disa projekte të përbashkëta rajonale, ku pjesa dërmuese e tyre kanë qenë grante.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.

“Agjenda e lidhshmërisë” është komponenti më i rëndësishëm që synon lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e transportit dhe energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike.

Samitet e mbajtura në Gjermani, Austri, Francë dhe Itali krijuan komunikimin mes udhëheqësve të Ballkanit, hartuan disa projekte infrastrukturore dhe iniciativa të reja rajonale. Megjithatë, shumë çështje të ngutshme mbeten të paprekura dhe bashkëpunimi midis udhëheqësve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ende është larg nga të qenët i kënaqshëm. /TV Malisheva

Share.