Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deri në shtator do të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit me qëllim që mësimi të fillojë me prezencë fizike në objekte shkollore.

Megjithatë, ajo tha se do të jenë të përgatitur edhe për forma të tjera nëse veç do të ketë nevojë.

“Synimi jone është që të vazhdojmë me prezencë fizike. Është një hap i mirë që ka filluar vaksinimi i mësimdhënësve dhe në shtator do të kemi të vaksinuar të gjithë mësimdhënësit. Besojmë se do të jetë me prezencë fizike në shkolla, por do të jemi të gatshëm edhe për forma të tjera”, tha ajo.

Në raportimin para deputetëve të Komisionit për Arsim, Nagavci ka treguar për punën që është bërë që nga marrja e mandatit.

Ajo tha se janë katër projektligje që synojnë që t’i dërgojnë në Kuvend për miratim.

Nagavci bëri të ditur se tashmë është ndarë buxheti për asistentët e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Po ashtu, Nagavci bëri të ditur se shumë shpejt do të emërohet bordi i Universitetit të Prishtinës.

Kritika për punën e MAShTI ka pasur deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, e cila tha se të gjitha vendimet në këtë ministri jsnë marrë ad-hoc.

“Ishte shumë sipërfaqësor. Mendojmë që në këto 100 ditë nuk janë vërejtur vendime sistematike. Shumica e veprimeve janë marrë ad-hoc dhe vendimet që janë marrë gjatë kësaj kohe lënë shumë për të dëshiruar”, tha ajo./TV Malisheva

Share.