Dozën e parë të vaksinës Astra-Zeneca e mori këtë të enjte ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia pasi u vaksinua kundër COVID-19 u bëri thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën kundër COVID-19. Ai ka theksuar edhe se dy llojet e vaksinës, ajo e Astra-Zeneca por edhe Pfizer janë të sigurta, ku shtoi edhe se Kosova nuk do të pranoj vaksina të prodhimeve kineze dhe ruse kjo jo përshkak të politikës por përshkak të sigurisë së vaksinave.

Vitia ka paralajmëruar një valë të tretë të virusit korona nëse qytetarët hezitojnë të vaksinohen. Ndërkohë që tha se do të rishikohen masat e marra kundër COVID-19.

“Vaksinimi është tash dhe me gjasë edhe për të ardhmen rruga e vetme për të fituar betejën me COVID-19[…]Duke qenë se kemi siguruar nga taksat tuaja edhe nga shtetet mike këto dy lloje të vaksinave të përdorura gjegjësisht në shumë vende të botës dhe mbështetura për sigurinë e tyre në dëshmi shkencore iu bëjë thirrje që të qaseni në platformën E-Kosova[…] Kemi dhe do të marrim vetëm vaksina të aprovuara por nuk do marrim vaksina as ruse dhe as kineze, kjo nuk ka të bëjë fare me politikën, kjo ka të bëjë me sigurinë e vaksinave dhe sigurinë e shëndetit të qytetarëve tanë. Nuk është koha të stigmatizohen vaksinat e dëshmuara siç provojnë të bëjnë individ të papërgjegjshëm përmes përhapjes së panikut”, tha ai.

Vitia bëri thirrje që vjeshta të gjej me sa më shumë qytetarë të vaksinuar.

“Nëse ne sot refuzojmë të vaksinohemi duhet të dimë se një valë e re e COVID-19 është e pashmangshme. Ky variant tani më siç jeni të informuar është prezent edhe në Republikën tonë. Prandaj, secili prej nesh duhet t’i bëjë vetës një pyetje a është më e lehtë dhe dobiprurëse marrja e një vaksine që shteti e ka siguruara apo të pranojmë që t’i kthehemi storieve me spitale të mbingarkuara deri në nivel kolapsi me shpenzime të mëdha e humbje të të dashurve tanë, këtë nuk guxojmë ta lejojmë”, tha Vitia.

I pari i shëndetësisë kosovare paralajmëroi se edhe kabineti i tij do vaksinohet me AstraZeneca.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pas konsultimeve me ekspertë do të vendosin për masat kundër COVID-19.

“Natyrisht është shtyrë për pak kohë për të biseduar me ekspert për shkak të paraqitjes së variantit Delta dhe ky është një shqetësim i yni[…]Rishikimi do të bëhet gjatë kësaj jave, do flitet prapë me ekspert dhe në momentin kur marrim rekomandimet e ekspertëve para jush medie të nderuara do t’i njoftojmë të gjithë qytetarët e Republikës”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shtoi se të gjithë qytetarët që duan të vaksinohen do të vaksinohen, teksa shtoi se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian do të ndihmohen nga ekipet mobile që të regjistrohen dhe të marrin vaksinën antiCOVID-19.

Në Kosovë vaksinimi masiv ka nisur nga 15 qershori, deri më tani janë vaksinuar me dozën e parë mbi 236 mijë qytetarë, ndërsa edhe dozën e dytë e kanë marr mbi 57 mijë persona. Situata epidemiologjike me COVID-19 në nivel vendi po vazhdon të jetë stabile vetëm në 24 orët e fundit pozitivë kanë rezultuar 9 persona, ndërsa është regjistruar edhe 1 vdekje si pasojë e infektimit me koronavirus./TV Malisheva

Share.