Të enjten janë bërë tre muaj që kur është zhdukur biznesmeni Bedri Rexhepi. Pasditen e 8 prillit, ai doli për të mos u kthyer më. Institucionet përgjegjëse deri më sot kanë dështuar në zbardhjen e këtij rasti dhe gjetjen e 38-vjeçarit. Edhe njohësit e sigurisë vlerësojnë se rasti i tij po neglizhohet nga organet e sigurisë.
Lidhur me zhdukjen e Bedri Rexhepi tashmë është arrestuar, Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim. Meqenëse të dyshuarit Jeton Vllasaliu i është vazhduar paraburgimi familjarët besojnë se prokuroria ka prova ndaj tij për përfshirje në rastin e zhdukjes se Bedri Rexhepit, por për ta e çuditshme është se si prokuroria nuk ka arritur deri tani të detyrojë të dyshuarin që të tregojë se ku gjendet Bedri Rexhepi. Prokuroria e Kosovës vazhdon të kthejë një përgjigje të njëjtë prej muajsh sa herë bëhen pyetje në lidhje me këtë çështje.
Familjarët e të riut nga Shtimja kanë lutur qytetarët që për çdo informacion që kanë t’i drejtohen policisë, duke ofruar edhe shpërblim.
Përmes një përgjigje me shkrim, Prokuroria Themelore e Prishtinës konfirmoi se hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Rrëmbimi”.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i vazhduar hetimet rreth këtij rasti”, thuhej në shkresën e Prokurorisë.
Një ditë pas zhdukjes, vetura e Bedri Rexhepit ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, me vete dyshohet se kishte një shumë të konsiderueshme parash.
Por mos gjetja e asnjë gjurme të Bedri Rexhepit tash e 3 muaj po shihet si shumë shqetësuese nga njohësit e sigurisë të cilët thonë se edhe organet përgjegjëse nuk e kanë prioritet aspektin hetimor në rastet e personave të zhdukur.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala thotë se është shqetësues fakti se si institucionet përgjegjëse nuk kanë mundur të përafrojnë hetime apo motivet që kanë shtyrë deri tek zhdukja e 38-vjeçarit.
Krahas policisë e prokurorisë, Shala thotë se në kërkime dhe hetimet për zbulimin e fatit të Bedri Rexhepit duhet të angazhohet edhe AKI-ja.
“Për mua është shumë shqetësues fakti që Policia e Kosovës apo organet e sigurisë e trajtojnë këtë element tek personat që zhduken për arsye të caktuara si një element standard të hetimeve, nuk kanë një prioritet të caktuar sepse në shumicën e rasteve personat e zhdukur janë kthyer pas një kohe apo janë gjetur. Rasti i fundit ku është zhdukur një biznesmen është shqetësues për mua sepse institucionet përgjegjëse nuk kanë mundur të përafrojnë hetime apo motivet që kanë shtyrë që ai person të zhduket. Të fillohet me një procedurë hetimore e cila drejtohet edhe nga institucionet përgjegjëse si Policia e Kosovës që merret me hetimet por pse jo edhe të angazhohet edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë që ka kapacitete humane, teknike dhe njerëzore që të asistojë Policinë e Kosovës në gjetjen e personit në fjalë apo lokacionin se ku mund të jetë”, tha Shala.
Sipas Drizan Shalës institucionet e sigurisë së Kosovës po e neglizhojnë rastin. Ai thotë se rruga e duhur do të ishte që brenda 78 orëve të hartohej një strategji që të shpinte drejt tij.
“Organet përgjegjëse e neglizhojnë shumicën e rasteve kur bëhet lajmërimi i personave të zhdukur sepse në shumicën e rasteve pas një kohe personat i janë kthyer familjeve. Organet përgjegjëse nuk e marrin shumë prioritet zhdukjen sepse pretendojnë dhe kanë dyshime se mund të rikthehen dhe mos të shpenzojnë kosto të institucioneve për gjetje të këtyre personave. Policia e Kosovës, gjegjësisht prokuroria që i zhvillon hetimet, duhet të hartojë një strategji që brenda 78 orëve nga momenti i paraqitjes si person i zhdukur të gjithë mekanizmi i sigurisë të angazhohet në zgjedhjen e personit në fjalë sepse pas 78 orëve është shumë problem ose gati e pamundur që të gjendet personi që shpallet i kërkuar apo i zhdukur. Është shumë shqetësuese neglizhenca e institucioneve apo një zhvatje procedurale deri në fillimin e hetimeve për gjetjen e personit në fjalë”, theksoi ai.
Biznesmeni, Bedri Rexhepi kishte në pronësi një biznes “Rent a Car” për çka edhe kanë lindur dyshimet se rrëmbimi i tij ka të bëjë me veprimtarinë që ushtronte.
Lidhur me rrëmbimin e Bedri Rexhepit, është tentuar që të mirret një deklaratë edhe nga Policia e Kosovës, por këta të fundit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje. /TV Malisheva