Numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë në QKMF-në e Deçanit si shkak i helmimeve, ka shënuar rënie. Në 24 orët e fundit kanë marrë shërbime mbi 250 banorë të kësaj komune që ka shpallur gjendjen emergjente, ndërkohë që gjendja e tyre është stabile.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Selmon Berisha thotë se janë 58 pacientë më pak të cilët kanë marrë shërbime, krahasuar me ditën paraprake.

“Për 24 orë prej ditës se nesërme deri në orën 07:00 në mëngjes janë 252 pacientë. Ndërsa, nëse bëjmë krahasimin me 24 orët paraprake janë 58 pacientë më pak se ditën paraprake. Si duket është në rënie, po shpresojmë që ditëve të ardhshme të bie ky fluks. Dhe sot situata para dreke është më e qetë në krahasim me ditën e djeshme”, thotë ai.

Ai tregon edhe për gjendjen e pacientëve të cilët po trajtohen për shkak të helmimeve.

“Zakonisht të gjithë pacientët që janë rehatuar tek ne, kanë marrë terapi paranterale, kanë marrë infuzion dhe janë shkuar në shtëpi. Një numër shumë i vogël ka shkuar në Spitalin Regjional të Pejës dhe Gjakovës. Por kanë shkuar shumë te vilet, ne nuk i kemi referuar, por edhe gjendja e atyre që janë në shtëpi dhe atyre që kanë marrë ndihmë në spitalet regjionale është gjendje e mirë”, shton ai.

Deri më tani është raportuar për mbi 1.500 pacientë të helmuar, e që shkaku i këtij infektimi ende nuk dihet. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se mostrat e të helmuarve do të dërgohen për analizë jashtë vendit. /TV Malisheva

Share.