Gjashtë zyrtarëve të Komunës së Klinës, Deçanit dhe Istogut i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata e Pejës. Kurse, Elfete Blakaj, zyrtare në Komunën e Istogut është liruar.
Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit R.M, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri R.M me datat 03.03.2020, 06.08.2020, 29.12.2020 në objektin e K.D, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, e duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, si dhe në dëm të dëmtuarës DAPK në Pejë lëshon vende për lejimin e ndërtimit të objekteve, në atë mënyrë që, i pandehuri si Drejtor i DUMM në D duke mos qenë person zyrtar i autorizuar me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, i njëjti lëshon vendimin për leje mjedisore komunale dhe lejon ndërtimin e objekteve në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të cilën zonë nuk mund të lëshohet asnjë leje ndërtimore në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna,
Me çka kishte për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.
Të pandehurit R.M gjykata, iu caktojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata Themelore në Pejë po ashtu ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve J.B, RR.G dhe R.B, për shkak të dyshimit të bazuar se me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë me datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal lëshojnë lejen ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.
Me çka në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Të pandehurve J.B, RR.G dhe R.B gjykata, iu caktoj masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas detyrës zyrtare, gjykata shqyrtojë edhe masat e tjera alternative dhe gjeti se caktimi i masës së arresti shtëpiak ndaj të pandehurve J.B, RR.G dhe R.B, si masë më e butë, është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë dhe në funksion të zhvillimit pa pengesa të procedurës penale dhe se masat tjera me të buta nuk do të ishin adekuate.
Gjykata refuzojë propozimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës E.B për shkak të dyshimi të bazuar se e pandehura E.B me datë 21.9.2018, në objektin e K.I, në cilësi të personit zyrtar, zyrtare për Mjedis pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, merr pjesë personalisht në çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se një anëtar i familjes së saj ka interes financiar, në atë mënyrë që, e pandehura si zyrtare për mjedis, subjektit ekonomik në të cilën bashkëpronar është kunati i të pandehurës, ia lëshon dhe nënshkruan lejen mjedisore me te cilën investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor.
Me çka kishte për të kryer vepër penale “Konflikti i Interesit” nga neni 417 par. 1 të KPRK-së.
Gjykata e refuzojë kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës E.B dhe e njëjta u lirua menjëherë që të mbrohet në liri meqë ka vlerësuar se prokuroria në kërkesën për caktim të paraburgimit vetëm ka parafrazuar dispozitën ligjore mbi të cilën e ka mbështetë kërkesën për caktim të paraburgimit dhe nuk e ka dhënë arsye logjike që do të mbështesnin ekzistimin e bazave të parapara me ligj për caktimin e masës së paraburgimit.
Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurve L.M dhe A.G, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës.
Sipas gjykatës, të pandehurit L.M dhe A.G nga data 20.09.2019 e në vazhdimësi deri me datë 09.11.2020, në objektin e K.K, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri L në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ndërsa i pandehuri A në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër duke vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, pa zbatuar ndonjë plan rregullues urban, lëshojnë lejen ndërtimore e më pas lëshojnë lejen ndërtimore për mbindërtim, edhe përkundër faktit se për hartat zonale është dhënë pëlqim nga MMPHI-ja, por ende nuk është aprovuar plani i ri zhvillimor komunal dhe me këtë investitorit ia mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.
“Ndërsa, me datë 04.10.2020, në objektin e K.K, të pandehurit duke vepruar si bashkëkryerës në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, dhe Planin Rregullues Urban 01.nr-351-1830/2016, të datës 25.3.2016, lëshojnë lejen ndërtimore në atë mënyrë që, të pandehurit fillimisht investitorit i’a lëshojnë kushtet ndërtimore me te cilat i lejohet ndërtimi i objektit afaristo-banesor në dy llamella e më pas të njëjtit, investitor i’a lëshojnë lejen ndërtimore me te cilën i’a lejojnë rritjen e etazhitetit në llamellen II në 3 kate shtese dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit. Me çka në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së. I pandehuri L.M nga data 12.07.2019 e në vazhdimësi gjer me datën 22.04.2020, në objektin e K.K, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, në atë mënyrë që, i pandehuri në kuadër të detyrës zyrtare të tij pa qenë, i autorizuar me datën 12.07.2019 nxjerr vendimin me të cilin i kishte lejuar investitorit afrimin e objektit në distancë prej 20 metra largësi nga vija hekurudhore e më pas nxjerr vendimin tjetër duke ndryshuar vendimin e lartcekur dhe duke e zbritur distancën e largësisë nga vija hekurudhore në 17 metra dhe këtë në kundërshtim me Lijgin për Hekurudha e cila përcakton distancën e largësisë prej 25m. Me çka kishte për të kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “, thuhet në njoftim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit gjeti se kërkesa e tillë duhet të refuzohet pasi që prokuroria e shtetit nuk ka arrit të vërtetoj bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
“Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftim./TV Malisheva