Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi, thekson se të gjithë indikatorët tregojnë se gjendja e bizneseve është përmirësuar pas një viti ballafaqimi me pandeminë COVID-19. Mirëpo, ai ka ngritur si shqetësim që shumë biznese po përballen me mungesë të punëtorëve.
Gjatë prezantimit të rezultateve të anketimit të bizneseve për tre mujorin e parë të vitit 2021, Rukiqi tha se rreth 61 përqind e bizneseve kanë vlerësuar se situata e tyre biznesore në 6 muajt e ardhshëm do të përmirësohet.
“Kemi një përmirësim të dukshëm të gjendjes së bizneseve, kjo reflektohet në nivelin e bizneseve të cilat janë të kënaqura në raport me ato që janë të pakënaqura. Pra, kjo tregon që gjendja e bizneseve është përmirësuar në tre mujorin e parë të vitit 2021, pra është numër më i vogël i bizneseve që e vlerësojnë gjendjen e pakënaqshme. Nga 45 përqind sa ka qenë, 40, një pjesë tjetër mbi 45 përqind që e vlerësojnë gjendjën e kënaqshme, do të thotë që kemi rritje të kënaqshmërisë së bizneseve me gjendjen apo me klimën e të bërit biznes në fillimin e vitit 2021. Nëse e shohim balancën apo diferencën mes vlerësimit pozitiv dhe atij negativ edhe këtu e shohim nga -71 sa ka qenë kemi arritur në -15 dhe të gjitha indikacionet janë që në tre mujorin e dytë dhe tani kur kemi hyrë në tre mujorin e tretë gjendja është shumë më e mirë dhe gradualisht balanca po i kthehet pozitivitetit”, tha ai.
Ai theksoi se numri i kompanive që presin që gjendja biznesore të përmirësohet në 6 muajt e ardhshëm është 61 përqind, derisa tha se trend pozitiv ka edhe sa i përket konfidencës tek bizneset.
“Numri i kompanive që presin që gjendja biznesore të përmirësohet në 6 mujorin e ardhshëm është 61 përqind. Edhe kjo paraqet një trend pozitiv dhe i njëjti vlerësim është edhe sa i përket pritjeve për punësim, nga 28 përqind sa kanë qenë për gjashtë muajt e ardhshëm kjo ka shkuar në 46 përqind”, tha ai.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka prezantuar edhe barrierat kryesore të bizneseve gjatë tre mujorit të parë të këtij viti.
Ai tha se një prej problemeve vazhdon të jetë konkurrenca jo lojale dhe mungesa e punëtorëve në këtë kohë.
“Ka vazhduar të jetë mungesa e porosive, pra ka pasur një kërkesë më të ulët për mallra dhe shërbime, mungesa e mjeteve financiare e bizneseve, shumë çështje kanë qenë të lidhura drejtpërdrejtë me rrjedhën e parasë dhe ajo që mbetet vazhdimisht si çështje shqetësuese është konkurrenca jo lojale. Dua ta theksoj një çështje që është në rritje sidomos tash në sezonën e verës si problematikë tek bizneset është mungesa e punëtorëve, do të thotë shumë kompani ankohen për mungesë të punëtorëve dhe nga një krizë e kërkesës shumë lehtë mund të kalojmë në një krizë të ofertës. Pra, një mos shfrytëzim të kapaciteteve të bizneseve për të ofruar atë çka munden më mirë me thënë edhe si pasojë e shumë mungesave që i kanë në staf në këta muajt e verës kur puna është shtuar dukshëm, puna është shtuar dukshëm edhe si rezultat i ardhjes së diasporës edhe si rrjedhojë e hapjes së ekonomisë dhe ne duhet si shoqëri ta trajtojmë këtë problem me shumë seriozitet në muajt dhe vitet në vijim, për shkak se mund të na bëhet një prej problemeve kryesore. Pra, jo vetëm në kuptim të mungesës së fuqisë punëtorë të kualifikuar, por edhe mungesës ë fuqisë punëtorë në numra”, theksoi ai.
Kryetari Rukiqi përmendi se në shtator pritet të shtohen aktivitetet në masë më të madhe nga Oda, ku pritet që në fund të shtatorit të mbahet edhe një panair me biznese, pas shumë kohe me pandemi./TV Malisheva