Një 18 vjeçare nga Krusha e Madhe, mbeti e vdekur në aksidentin që ndodhi të dielën në mëngjes në Kroaci. Anjeza Bellanica tash e disa vjet po jetonte me familje në Gjermani, ajo vet ishte nisur me autobusë për të ardhur në Kosovë. Familjarë të Bellanicës, po presin arkivolin e Anjezës, e cila nuk priti as prindërit për të ardhur bashkë me ta në Kosovë.

Derisa dhimbje për këtë tragjedi është e madhe, familjarë të saj nuk kanë qenë të gatshëm të flasin.

Ndërkaq, kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti tregon se si kishin kuptuar që në mesin e dhjetë të vdekurve, ishte edhe Anjeza.

“Fatkeqësisht edhe një nga viktimat e aksidentit në Kroaci, është një krushiane, është Anjeza Bellanica e cila është nisur ditë më parë për t’u kthyer në shtëpi për një aheng familjar, gjegjësisht për t’u ribashkuar me familjarët. Rrugë e cila i kushtoi me jetë. Dhe tani po presim që trupat e saj dhe të tjerëve, jo vetëm komunës tonë, por edhe të tjerëve të kthehen në mënyrë të organizuar”, shprehet Hoti.

Ai thotë se janë në kontakt me familjarët dhe zyrtarët e shtetit, për çka shton se dhimbja është e madhe.

“Njëkohësisht familjes Kastrati, nusja e të cilit është bijë krushiane. Edhe për atë ndjejmë keqardhje të madhe. Por gjithashtu edhe për familjen Hoxha nga Qëndresa të cilët janë nipa dhe dajë. Kemi të bëjmë me një linjë familjare, në këto anë që i ka prek të gjitha. Patjetër se bashkëndjejmë edhe me gjitha familjet në Kosovë që i ka prekur më të dashurit e tyre në këtë sezon vere, që i pritnim për ribashkim pas gjithë atyre humbjeve që i kishim”, shton Hoti

Sipas tij, sot në mbrëmje pritet kthimi i trupave të pajetë për varrim në Kosovë.

“Sipas informatave të para që nuk janë akoma publike, na është thënë që diku vonë sonte do të vijnë trupat. Mirëpo, për detaje akoma nuk dimë. Do të përpiqemi edhe me nivelin komunal, ambasadat që të vejmë të gjitha detajet që të kenë një varrim të dinjitetshëm”, përfundon Hoti.

Të dielën në Kroaci si shkak i një aksidenti kanë mbetur të vdekur 10 udhëtarë, ndërsa me dhjetëra kanë mbetur të lënduar. Në mbrëmje po pritet që të sillen trupat e pajetë, për ceremoni varrimi në Kosovë të bashkatdhetarëve. /TV Malisheva

Share.