Policia e Tiranës thotë se ka arrestuar personin i cili një ditë më parë u iku efektivëve të policisë me makinën e tij tip Mercedes, duke mos iu përgjigjur thirrjes së tyre për të dalë nga mjeti.
26-vjeçari me inicialet G.C. është një nga 5 personat e arrestuar nga policia, pasi akuzohen se kishin krijuar një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Policia sekuestroi edhe 1 kilogram e 128 gramë kokainë, 3 makina dhe 7 celularë. ”
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut”, tha Policia në një njoftim.
Të arrestuarit janë G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi E(E).P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.
Trafikanti u iku me makinë, gazetarin e shtrinë në tokë, nisin hetimet për sjelljen e efektivëve
“Ata konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shkruan A2.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë”, tha Policia.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C./TV Malisheva