Kruja ka qenë gjithnjë një vend ku ekskursionet e shkollave pushtoheshin me informacione për fëmijët.

Vizitat në muzetë e Krujës, por edhe pamjet fantastike që ofron ky qytet për breza të tërë janë një kujtim i bukur i fëmijërisë, sepse në Krujë na kanë çuar që herët të njihemi me historinë.

Dhe është gjithnjë bukur të rikthehesh në këtë qytet, ku pazari mbushet me ngjyrat e traditës, ku muret e kalasë të japin sigurinë e një shteti që ka qenë evropian, aq sa të vërë barriera edhe për më të pushtetshmit e historisë që më shumë se 5 shekujve më parë.

Këto rrugica të pazarit nuk u shndërruan asnjëherë. Koha dhe modernizmi, konsumatori, turisti, tregtia, nuk e shndërroi asnjëherë pazarin që vijon të zbukurojë qytetin me kostumet tradicionale, me xhezvetë e kafeve të punuara aty, me qilimat plot motive shqiptare apo qeleshet e artikujt që flasin edhe vizualisht për heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Një muze i dedikuar për këtë figurë historike, princin perëndimor, prijësin e diplomatin evropian, për Gjergj Kastriotin, është numri një në listën e vizitave në këtë qytet. Aty takojmë Drini Mashën, përfaqësuesin e Bashkisë së Krujës, që nuk na pyet përse kemi mbërritur këtu, por që na sugjeron vetë ta gjejë përgjigjen pse.

Para se të vizitojmë muzeun kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, takojmë edhe drejtuesin e Qendrës Muzeore të Krujës. Mehdi Hafizi rreket të na rrëfejë se pasi të shijojmë muzeun e heroit të shkojmë edhe tek ai i etnografisë.

Pandemia nga këtu duket sikur ka ndalur pak, sepse vizitorët janë të shumtë. Por nuk harrojmë të pyesim për dy vite të vështira të Krujës. Nisur me tërmetin e nëntorit, e deri tek pandemia që izoloi të huajt të shijonin ngjyrat e Krujës.

Duket sikur në Krujë, banorët i gjen gjithnjë duke punuar, nuk është një qytet i zymtë ku artizanët, shitësit apo ato që presin biletat në muze të ankohen për diçka. Edhe ata që janë pa punë, duket sikur e gjejnë diçka për t’i treguar turistëve pozitivitetin që gjen në këto anë.

Dhe nëse e keni vizituar më herët Krujën, rikthehuni qoftë edhe për këtë perëndim ku Adriatiku shtrihet bashkë me qytete të tjera shqiptare, nën këmbët tuaja./A2/TV Malisheva

https://youtu.be/OTu7mCSCD1M

Share.