Nga Dukati, ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, deklaroi se për momentin era nuk po e favorizon luftën kundër zjarreve në Pashaliman dhe Dukat.

“Për shkak të erës, flakët në Dukat kanë avancuar, gjë që shton rrezikun për pyllin me pisha të Llogarasë. Kemi përqendruar forcat, janë rreth 500 trupa të Forcave të Armatosura që po punojnë në Pashaliman dhe Dukat. Por, era nuk po na favorizon për momentin. Sot pasdite parashikojmë që të fluturojnë 3 helikopterë në këtë zonë për të hedhur ujë nga sipër. Pas tyre, do të shkojnë forcat tokësore”, u shpreh Peleshi për A2.

Ai tha ka të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.

“Kemi vatra të reja në Himarë dhe Poro fatkeqësisht. Ka disa të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, barinj të zonës. Ministri i Brendshëm më ka siguruar se do të ndalohen përgjegjësit. Kjo është një luftë që nuk fitohet duke ndjekur zjarret nga mbrapa, por duke arrestuar personat e dyshuar”, shtoi ministri.

Në lidhje me postimin e presidentit Ilir Meta, i cili shkroi të hënën në ‘Facebook’ se trupat e alokuar për shuarjen e zjarrit po punojnë me mjete rrethanore.

“Është shumë naive të thuash pse kanë ushtarët lopata në duar. Në një moment të caktuar, lopata bën më shumë punë se sa një mjet tjetër. Më vjen keq që këto gjëra i thotë Presidenti. Në momente emergjencash nuk duhet të godasim njëri-tjetrin për kapital politik. Mes trupave tanë ka edhe vajza që në këto temperatura punojnë pranë zjarrit, ndërkohë që njerëz nëpër zyra me kondicionerë gjejnë momente për të spekuluar”, tha ai. /TV Malisheva

Share.