Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, ka më shumë se një javë që po i shijon pushimet në bregdetin shqiptar.
Ajo ka publikuar vazhdimisht fotografi gjatë këtyre ditëve nga vizita e saj në shumë vende turistike të Shqipërisë, duke iu krenuar mbarë botës me bukuritë e rivierës shqiptare.
Teksa ndodhet në jug të Shqipërisë bashkë me familjen, Dua Lipa, në të njëjtën kohë po kënaqet me familjarët e saj nga Kosova, të cilët kishte kohë pa i takuar.
Së fundmi, 25-vjeçarja ka bërë një sërë postimesh në Instagram, ku ndër të tjerash ka hedhur një video, ku shfaqet duke kërcyer valle tradicionale shqiptare.
Nën ritmet e një kënge popullore të kënduar nga Remzie Osmani, Lipa mund të shihet me gotë mbi kokë, teksa vallëzon me shaminë në dorë.
“Më trego se je shqiptar, pa më treguar se je shqiptar”, shkroi Dua në mbishkrimin e videos.
Fotografitë e tjera përfshijnë imazhe me të dashurin e saj, Anwar Hadid, si dhe me nënën e saj, Anesën, gjatë këtyre ditëve pushimi.
Vetëm një ditë më parë, Dua vizitoi edhe qytetin antik të Butrintit, duke ngelur e impresionuar nga gjurmët historike të qytetit të vjetër shqiptar. /TV Malisheva