Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shpallur gjendje krize për shkak të situatës me zjarret në vend, transmeton Alsat.
Ekzekutivi ka marrë vendim për shpallje të gjendjes së krizës për 30 ditë, në të gjithë territorin e vendit. Vendimi është marrë pas kërkesës së Komitetit për koordinim dhe menaxhim me kriza.
Me shpalljen e gjendjes së krizës, Ligji i mundëson Qeverisë të shfrytëzojë resurset e organeve të administratës shtetërore, organeve komunale dhe të qytetit të Shkupit, ndërsa me marrëveshje paraprake ose në mënyrë vullnetare mund të shfrytëzohen edhe resurset e qytetarëve.
Nga Qeveria thonë se për vendimin, do të njoftohet Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendi.
Çfarë paraqet gjendja e krizës?
Gjendje krize në kohëzgjatje prej 30 ditëve në gjithë territorin e shtetit sot shpalli Qeveria me propozim të Komitetit Drejtues për shpalljen e gjendjes së krizës, për shkak të situatës me zjarret.
Në Ligjin për menaxhim me kriza, gjendja e krizës është definuar si gjendje e shkaktuar nga rreziqe të cilat mund t’i rrezikojnë të mirat, shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe kafshëve dhe sigurinë e shtetit, për parandalimin ose përballjen e të cilit nevojitet përdorim i vëllimit më të madh të resurseve. Vendimi për shpalljen e saj nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.
Nëse ka nevojë të tejkalohet kjo periudhë, gjegjësisht gjendja të zgjasë më gjatë, Qeveria duhet të kërkojë miratim nga Kuvendi për vazhdimin e afatit ose të propozojë shpalljen e gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme. Kuvendi dhe presidenti i shtetit në çdo moment mund të kërkojnë raport me gojë ose me shkrim për situatën në sferën e menaxhimit me kriza.
Ligji i mundëson Qeverisë që të marrë vendim për përdorim të resurseve të organeve të administratës shtetërore, organeve të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe për menaxhimin me to në rast të gjendjes së krizës. Përdorimi i resurseve për realizimin e aktiviteteve duhet të jetë proporcional sipas natyrës dhe intensitetit të gjendjes së krizës, e arsyeshme sipas karakterit të krizës dhe serioze sipas fuqisë dhe vëllimit të krizës.
Në rast të gjendjes së krizës mund të përdoren edhe resurset e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe shërbimeve, si dhe të shoqatave tregtare të cilat janë me rëndësi të veçantë për punë në gjendje krize, në përputhje me ligjin. Me kërkesë të Qeverisë, në bazë të marrëveshjes së lidhur me Qendrën ose vullnetarisht, mund të përdoren edhe resurset e qytetarëve dhe persona të tjerë juridikë.
Ligji parasheh se me një pjesë të forcave të saj mund të marrë pjesë edhe Armata në mbështetje të policisë në kushte kur me gjendjen e krizës rrezikohet siguria e vendit, ndërsa organet e administratës shtetërore nuk kanë resurse adekuate dhe mjete për parandalimin dhe menaxhimin e tyre. Propozim në Qeveri për nevojën për pjesëmarrje të një pjese të Armatës, sipas Kontrollit Strategjik të Mbrojtjes jep Komiteti Drejtues. Presidenti në çdo kohë mund ta vlerësojë nevojën për pjesëmarrje të pjesës së Armatës. Mënyra e pjesëmarrjes të një pjese të Armatës në gjendje krize rregullohet me rregull të cilin e sjell presidenti./TV Malisheva