Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një statusi në Facebook, i nxitur nga komentet negative që mori në foton me dy xhudistet e arta të Kosovës, reagoi karshi zhvillimeve të fundit, koncertin e këngëtarit serb Goran Bregoviq, dialogun si dhe projektin Ballkani i Hapur.

Rama, që kujton një takim me liderët e rajonit me presidentin francez Macron e kancelaren Merkel, ku në atë kohë Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës, citon t’i ketë thënë dy liderëve evropianë se “nuk i ha luli për këta” duke aluduar në homologët e rajonit e sipas Ramës duke i hequr rastin historik Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke ‘i treguar babait arat’, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Evropian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë ‘tregimin e arave’, deri në pikën që një lider  nga Kosova ia futi në sy të Merkelit e Macronit, ‘mu nuk më han luli për kta!’ dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, shkruan Rama.

Rama, më tej shkruan se, është dëshmitar prej tetë vjetësh së respekti e durimi i ndërkombëtarëve me Prishtinës zyrtare po bie për shkak të ngecjes së dialogut suke iu dukur liderët si gjithnjë e më pak të arsyeshëm e Serbia gjithnjë e më pafajshme.

“A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, vijon Rama.

Kryeministri i Shqipërisë akuzon politikanët se retorikën e brendshme e kanë shndërruar në politikë të jashtme si dhe e kanë përfshirë në fjalorin e tyre si tradhti politikën e jashtme të re të Shqipërisë.

Sipas tij, nëse Kosova do të mbrohej sikurse e mbron ai, vendi do të ishte shumë më i respektuar në arenën ndërkombëtare.

“A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare? E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, tha Rama.

Duke u ndalur të projekti i Ballkanit të Hapur, Rama tha se është një rrugë që çon Serbinë drejt njohjes së Kosovës.

“Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb evropian që përkatësinë e vet e ka në Evropën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha Rama.

Në fund, kryeministri Rama tha se nuk do të heqë dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkan, përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmit digjital. Koha do të flasë më shumë e më mirë”, përfundoi Rama./TV Malisheva

Share.