Një vatër zjarri është shfaqur në afërsi të pishave të Llogorasë mëngjesin e së martës.
Forca të shumta iu ngjitën malit sërish por flakët të ndihmuara dhe nga era që fryn nga veri lindje i çonin flakët në mesditë drejt Llogorasë.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj në një lidhje telefonike nga vatra e zjarrit tha se flakët në Karaburun kanë qenë të qëllimshme, pasi gjatë ditës së djeshme u fikën të gjitha dhe në mesnatë u riaktivizuan.
“Gjatë natës pas përfundimit të një beteje të vështirë për shuarjen e flakëve gjatë orëve të mesnatës ka qenë një ri-ndezje nga duart e poshtra që na kanë kthyer sërish në betejën për të mbrojtur Llogoranë. Kemi bërë një punë të mrekullueshme dje, duke fikur të gjitha vatrat në territorin e Karaburunit. Sot filluan erërat paraditen, tani jemi në Qafën e Kajos në përroin e Mrizit të Pishave, duke kontrolluar vijën e zjarrit në këtë përrua. Në këto momente kemi vënë në kontroll situatën, ndërsa betejën e kemi në këtë pjesë të përroit për të vënë në kontroll flakët këtë”, tha Mamaj.
Banorët e fshatit Dukat shprehen se kjo situatë duhej vënë nën kontroll sapo zjarri u shfaq jo tani që është e pamundur dhe rrezikon seriozisht Llogoranë.
Në Vlorë zjarret vijojnë të përhapen edhe pse disa persona kanë rënë deri tani në pranga, së fundi një zjarrvënës në Tragjas./tch/TV Malisheva