Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe drejtoresha ekzekutive e Platformës, CiviKos, Donika Emini në një konferencë të përbashkët për media, kanë shpalosur rekomandimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit të përballje me pandeminë, si dhe kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19.
Rukiqi tha se vaksinimi duhet të jetë prioritet dhe theksoi se ringjallja ekonomike varet drejtpërdrejt nga vaksinimi.
“Vaksinimi është një çështje prioritare për gjithë vendin, për funksionimin normal të ekonomisë. Çdo rimëkëmbje ose ringjallje ekonomike varet drejtpërdrejt nga vaksinimi. Pavarësisht masave që mund të ndërmerren nga Qeveria për përkrahje të bizneseve dhe rritjes së qarkullimit nuk mund të kthehemi në normalitet ekonomik pa pasur vaksinim masiv”, theksoi Rukiqi.
Ndërsa, Emini tha se ndër rekomandimet e para është heqja e burokracive në procesin e rezervimit të terminëve për vaksinim, si dhe të mundësohet vaksinimi në qëndrën më të afërt, pa marrë parasysh vendbanimin e regjistruar zyrtarisht.
Ajo tha se vaksinimin masiv të cilin po e synon qeveria e Kosovës, shifrën 60 përqind deri në fund të vitit mund të arrihet vetëm nëse ka një proces dinamik të vaksinimit e që nuk është parë deri më sot.
“Ne i kemi përpiluar disa rekomandime të cilat kanë rrjedhur si proces i konsultimit me sektorë të biznesit përmes Odës Ekonomike… E para është burokracia për terminë, është problematike caktimi i terminëve ‘online’. Nëse synohet vaksinimi masiv duhet të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës pa procedura burokratike për qasje në “eKosova”, e cila për një shtresë të privilegjuar mund të jetë e thjeshtë, por jo për të gjithë qytetarët e Kosovës. Andaj, heqja e burokracisë është e para, e dyta është mundësimi i vaksinimit edhe në qendrën e vaksinimit më të afërt dhe jo domosdoshmërisht në vendbanimin e regjistruar zyrtarisht”, theksoi ajo.
Në konferencë është potencuar se rritja e numrit të të infektuarve dhe vaksinimi i ngadaltë kanë ngritur shqetësime për mbyllje të reja që do të rezultonin me situatë ekonomike të vështirësuar për sektorin privat dhe familjet që varen nga të ardhurat e këtij sektori.
Në kuadër të kësaj OEK dhe CiviKos kanë përmbledhur disa rekomandime siç janë, heqja e burokracisë në rezervimin e terminëve për qasje më të lehtë e të thjeshtësuar të qytetarëve, mundësia e vaksinimit në qendrën më të afërt, pa marrë parasysh vendbanimin e regjistruar zyrtarisht, vaksinimi përmes ekipeve mobile nëpër biznese, pasi që aktiviteti i tyre ekonomik po pengohet nga oraret e limituara e ndërkohë rrezikshmëria nga kontakti me njerëz duke qenë të pa vaksinuar rritet./TV Malisheva