Qeveria e Kosovës pritet sot të miratojë masat e reja të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, e të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 20 gusht deri më 1 shtator.

Në një takim virtual që ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ai i Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi që kishin me kryetarët e Komunave sot pasdite, është diskutuar mbi gjendjen me COVID-19 pas rritjes enorme të rasteve, ku vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 5 viktima dhe 1765 të prekur nga sëmundja infektuese.

Vitia dhe kryetarët e Komunave janë dakorduar mbi masat e reja për mbylljen e klubeve të natës nga data 20 gusht, ndërsa dasmat për shkak prenotimeve do të lejohen edhe një kohë, por me vetëm deri në 150 persona dhe jo më vonë se ora 22:30. Çdo dasmorë do të lejohet në dasmë me certifikatë të vaksinimit ose testet PCR ose seriologjike.

Pjesë e masave është lejimi i punës për gastronomët deri në ora 22.30 me masat e mëhershme, me 50% të kapacitetit në hapësirat e brendshme dhe 70% të kapaciteteve në hapësirat e jashtme.

Kryetarët e Komunave kërkuan nga ministri Vitia shtimin e vaksinimit, dhe që po ashtu të lejohen komunat për të marrë staf shtesë, si dhe që të ofrohen shujta për stafin e angazhuar në Qendrat e Vaksinimit.

Ministri Vitia bëri të ditur se në Qendrat e Vaksinimit do të punohet edhe ditëve të shtune, ndërsa sa i përket barnave esenciale ai tha kanë marrë të gjitha masat, por janë 200 aktivitete të prokurimit dhe nuk mund të përshpejtojnë për shkak të procedurave./TV Malisheva

Share.