Aktivitetin “Kafja e Mëngjesit”, Oda e Afarizmit të Kosovës këtë radhë e organizoi me bizneset e Regjionit të Prizrenit, me ç’rast u diskutuan disa nga sfidat me të cilat bizneset e këtij regjioni po përballen.
Informimi i bizneseve pjesëmarrëse me aktivitetet e fundit të OAK-së, diskutimi rreth problemeve të bizneseve qoftë në nivel lokal apo qendror, diskutimi rreth infrastrukturës ligjore e cila po pengon operimin e biznesit në vend, e diskutimi rreth hapësirave në zonën ekonomike, ishin disa nga ҫështjet kryesore të cilat u diskutuan në kuadër të këtij takimi.
Ymrane Fusha nga biznesi Er Abi, duke përgëzuar OAK-në për punën e saj, ngriti disa shqetësime me të cilat po përballet si biznes. Barra e pushimit të lehonisë për bizneset që kanë të punësuara femra, përkrahja e prodhimeve vendore në institucione dhe tendere publike, ofrimi kredive me grejsperiudhë së paku 1 vjet për bizneset prodhuese, e përkrahja për bizneset që drejtohen nga gratë ishin vetëm disa nga cështjet që u ngritën nga Fusha.
Liridon Kalanderi nga kompania LIRI, theksoi si shumë të rëndësishme sigurinë në realizimin e transfereve ndërkombëtare dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, duke ofruar bashkëpunim më të ngushtë nga BQK në dhënien e informacioneve të nevojshme para se kompania të realizojë transferin. Kalanderi, gjithashtu si problematikë detyrimin nga Aeroporti i Prishtinës për testim edhe në rastet kur shteti në të cilin po udhëtojnë nuk kërkon një dëshmi të tillë.
Edin Gashi nga biznesi Dallas Shpk theksoi rëndësinë që bizneseve të Prizrenit, sidomos ato që kanë tendenca që të hyjnë në prodhim, të iu jepen hapësira në Parkun e Biznesit, për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
Ndërsa, Sefer Susuri nga Vëllezërit e Bashkuar theksoi që institucionet duhet të përfillin kërkesat që vijnë nga bizneset.
Ramadan Gashi nga Agi Dani, ngriti problemin e stafit profesional, ku aktualisht të rinjët nuk i posedojnë aftësitë në përputhje me diplomën që zotërojnë. Andaj, kërkoi që ti kushtohet më shumë rëndësi shkollave profesionale dhe të inkorporohet edhe puna praktike krahas teorisë.
E Tafil Kalimashi nga Kosova Pack ngriti problemet me ndaljet e shumta të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë vështirësi në prodhim.
Fatmir Qerreti nga Industria e Mishit Doel theksoi që si kompani kanë bërë furnizimet për sektorin e Horeca-së, andaj me hyrjen në fuqi të masave të reja do të kenë grumbullim të stoqeve, siç ka ndodhur edhe herën e kaluar, duke shkaktuar kështu humbje tek biznesi.
Në fund të takimit palët u dakorduan që duhet të jenë unike në kërkesat që parashtrojnë dhe për të njëjtat të lobohet tek institucionet relevane me qëllim të trajtimit të tyre dhe eleminimit të barrierave që hasen gjatë të bërit biznes./TV Malisheva