Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka deklaruar se i dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, i cili është në kërkim për arrestim, ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar për vrasje edhe më herët. Pasi arrestuan të dyshuarin e parë, Jashari në një konferencë për media, ka bërë të ditur se së shpejti do të arrestojnë të dyshuarin e dytë, personin D.K, për të cilin ka deklaruar se kanë prova të mjaftueshme.
D.K, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e vajzës 18 vjeçares në Ferizaj, është emër i njohur për Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës.
Ani pse është ngarkuar me një numër të madh rastesh që lidhen me vepra penale, i njëjti i ka të gjitha rastet e mbyllura.
“Personi me inicialet D.K i njohur për Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë i cili ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve mirëpo të gjitha rastet janë të mbyllura, ka qenë i dyshuar dhe akuzuar për vrasje për raste të natyrave të ndryshme penale…Personi me inicialet A.S është ngrit një aktakuzë ndaj tij ne vitin 2013 për tentim vrasje dhe ende nuk është mbajt shqyrtimi kryesor, dhe shqyrtimi kryesor sa i përket kësaj çështje penale të tentim vrasjes është i caktuar më 23 shtator të këtij viti”, ka thënë Jashari.
Jashari ka bërë të ditur se janë në pritje të rezultateve të autopsisë për të qartësuar shkakun e vdekjes së 18 vjeçares.
“Për momentin shkaktari i vdekjes nuk dihet për shkak se është bërë autopsia dhe ende nuk e kemi pranuar raportin e autopsisë për të caktuar shkaktari i vdekjes çka është”, ka thënë ai.
Kryeprokurori Jashari duke bërë të ditur se lidhur me vrasjen e 18 vjeçares M.O, deri më tani është arrestuar një person, derisa ka shtuar se janë në koordinim me zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policinë e Kosovës për të arrestuar të dyshuarin e dytë, për të cilën ka theksuar se ka prova të mjaftueshme.
“Në momentin kur Policia e Kosovës më ka dërguar foto, unë së bashku me shefin e hetimeve rajonale kemi dyshuar me një person, 99% kemi dyshuar që personi është person i njohur mirëpo nuk kemi guxu me përhap në opinion për shkak se cili është personi, derisa e kemi vërtetuar me fakte që është personi i njëjtë, kurse sa i përket veturës me tabela zvicerane personi me iniciale A.S jeton me vendbanim të përkohshëm në Zvicër dhe dyshohet se ka qenë në veturë zvicerane, mirëpo fillimisht edhe unë kam dhënë deklaratë tabelat kanë qenë të padëshifruara, nuk kanë qenë të sakta a kanë qenë zvicerane a jo, por çka është më re rëndësishme është se se personat janë identifiku dhe janë zbulu, njëri është arrest, dhe shumë shpejtë është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe personi tjetër me iniciale D.K shumë shpejtë do të arrestohet nga ana e policisë”, ka thënë Jashari.
Jashari ka bërë të ditur se ka edhe gjëra të sekuestruara nga banesa e të dyshuarit.
Kryeprokurori ka siguruar familjen e viktimës se Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar këtë çështje me seriozitet të lartë dhe së shpejti të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë rast do të dalin para drejtësisë.
M.O është dërguar ditën e djeshme pa shenja jete në Emergjencë të Ferizajt, nga i dyshuari D.K me të cilin sipas familjarëve viktima po bashkëjetonte, dhe nga A.S i cili tashmë është arrestuar.
Të dyshuarit kanë ikur nga spitali menjëherë pasi e kanë lënë viktimën./TV Malisheva