Nëse po shqetësoheni për të ardhmen tuaj, sepse marrëdhëniet tuaja në punë janë prishur për shkak të çështjeve të përformancës, ose thjesht sepse nuk merreni vesh me shefin tuaj, atëherë mbase jeni në dilemë. Po mendoni nëse është më mirë të qëndroni derisa t’ju largojnë vetë nga puna apo të jepni dorëheqje, cila do të jetë më e mirë?

Teorikisht është më mirë për reputacionin tuaj që të jepni dorëheqje, sepse duket që vendimi është i juaji dhe jo i kompanisë, por nëse largoheni vullnetarisht i ka edhe problemet e veta.

Ndryshimi në mes të dorëheqjes dhe të pushuarit nga puna

Dorëheqja është një mënyrë e lënies së punës vullnetarisht qoftë formale ose jo formale. Kjo do të thotë që ju vetë keni zgjedhur ta lini punën, ndoshta për një mundësi tjetër karriere ose një arsye personale tjetër.

Por e kundërta e kësaj, të pushohesh nga puna do të thotë të detyrohesh të largohesh nga ajo pozitë dhe kompani në përgjithësi. Një kompani zakonisht e ka një arsye për t’i larguar punonjësit nga puna. Largim i tillë është edhe kur një kompani detyrohet që ta zvogëlojë fuqinë punëtore.

Pavarësisht që në të dy format po e lini një kompani, këto janë dy terme që mund të ndikojnë në të ardhmen. Për shembull, është më e lehtë që t’ia shpjegosh një punëdhënësi të ardhshëm përse keni dhënë dorëheqje, sesa që jeni pushuar nga puna. Por ka punonjës që as dorëheqjet nuk i presin mirë.

Shenjat që mund të pushoheni nga puna

Raporte jo të mira me menaxherin

Menaxherët duan të punojnë me njerëz që u pëlqejnë dhe në të cilët mund të llogarisin. Nëse keni një marrëdhënie të keqe me menaxherin tuaj, ose është përkeqësuar me kalimin e kohës, kjo shpesh mund ta përshpejtojë pushimin nga puna. Mundohuni që ta vlerësoni sesi po vepron menaxheri juaj ndaj jush, në krahasim me punonjësit e tjerë!

Shqyrtime negative të performancës

Reagimet negative për paraqitjen tuaj në punë, janë shenjë kryesore se mund të ndodhë diçka jo e këndshme në të ardhmen. Menaxherët i japin rishikimet kohë pas kohe për punonjësit, por nëse vazhdimisht merrni reagime negative, kjo i tregon menaxherit që nuk po përmirësoheni.

Më pak detyra ose ju lënë jashtë projekteve të ekipit

Kur dikush po afrohet për t’u pushuar, ai zakonisht do të fillojë të marrë më pak punë. Ndërsa kompania humbet besimin në aftësinë tuaj, ata do të fillojnë të caktojnë detyrat tuaja tek të tjerët. Nëse mendoni se ngarkesa juaj e punës është zvogëluar ndjeshëm, ose se nuk po përfshiheni më në projektet e ekipit, kjo mund të nënkuptojë pushim nga puna.

Më shumë mikromenaxhim nga një epror

Një shenjë tjetër që eprorët tuaj e kanë humbur besimin në aftësitë tuaja është kur ata fillojnë t’ju mikromenaxhojnë. Mikromanaxhimi ndodh kur një epror dëshiron të shohë gjithçka që ju po bëni dhe të sigurohet që ju ta bëni atë në mënyrën e duhur. Nëse ata nuk mendojnë se puna juaj po përmirësohet, ata mund të vendosin që opsioni më i mirë është ndarja e rrugëve me ju.

Paralajmërime zyrtare për sjelljen tuaj

Një shenjë e qartë se mund të pushoheni nga puna është kur merrni paralajmërime zyrtare për sjelljen tuaj. Nëse jeni duke bërë diçka në punë dhe merrni paralajmërim nga eprori juaj, ju duhet ta korrigjoni këtë sjellje. Pasi të filloni të merrni paralajmërime të shumta zyrtare për diçka, shanset tuaja për të pushuar nga puna fillojnë të rriten.

Kur ju thonë që të keni ulje të pagës ose pushim

Disa kompani nganjëherë kërkojnë të gjejnë arsye për t’ju pushuar nga puna. Nëse ju kërkohet që të keni ulje të pagës ose ta merrni një kohë pushim, atëherë, kjo mund të jetë shenjë se jeni afër largimit nga puna.

Përfitimet e dorëheqjes

Një nga përfitimet e dorëheqjes është se duket më mirë në CV-në tuaj. Madje punëdhënësit mund t’ia shpjegoni dorëheqjen në favorin tuaj dhe ta bëni vetën më tërheqës në sytë e tij/saj. P.sh. mund të thoni që “Unë u largova sepse doja sfida më të mëdha.”

Një përfitim tjetër i lënies së punës është që keni kontroll të kohës. Kur hiqni dorë nga një punë zakonisht ndodhë që të siguroheni që gjendja juaj është mjaft stabile, ose e keni gati diku një ofertë tjetër të punës.

Përfitimet e pritjes për t’u pushuar

Një përftim nga pushimi nga puna është që ju do të jeni të drejtë me punëdhënësin. Prandaj, në intervistën e radhës mund të arsyetoheni që ndodhi për arsye të ndryshme, por ju ishit besnikë deri në fund. Shumica e shteteve madje nuk ofrojnë përfitime të papunësisë, për ata të cilët largohen nga puna vullnetarisht.

Si të zgjidhni nëse duhet të jepni dorëheqje apo të prisni të pushoheni nga puna?

Merrni në konsideratë punëdhënësin e ardhshëm

Filloni duke menduar për çështjen e punësimit në të ardhmen. Çfarë do të bëhet pasi të jem larguar nga kjo punë? Nëse keni një punë tjetër që po iu pret, atëherë ndoshta ka më shumë kuptim që të hiqni dorë, sesa të prisni derisa të pushoheni. Nëse ende nuk e keni ndonjë ofertë, atëherë ndoshta është më mirë të prisni derisa të pushoheni dhe atë koha ta përdorni për ta gjetur një punë tjetër.

Por, gjithmonë përdorni këtë kohë për ta gjetur një punë, në këtë mënyrë nëse e gjeni atë përpara se t’ju largojnë atëherë nuk do të keni nevoje që punëdhënësit të ardhshëm t’i thoni se ju larguan nga puna.

Konsideroni marrëdhëniet tuaja profesionale

Ju gjithashtu duhet t’i merrni parasysh marrëdhëniet tuaja profesionale në pozitën tuaj aktuale para se të merrni ndonjë vendim. Mund të keni nevojë për një referencë nga menaxheri juaj në të ardhmen dhe kështu, do të dëshironi të mbani marrëdhënie të mira me ta. Nëse largoheni në mënyrë profesionale dhe jo duke pritur që të pushoheni nga puna, kjo mund të ndihmojë për të shpëtuar një marrëdhënie të mirë në fushën profesionale.

Kontrolloni shëndetin tuaj mendor

Radhitet e fundit, por shëndeti mendor ka më së shumti rëndësi. Nëse jeni në një punë që e urreni, mund të jetë më mirë të hiqni dorë sesa të prisni që t’ju pushojnë. Një punë e pakëndshme mund të ketë një dëm serioz në shëndetin tuaj mendor, i cili mund të çojë në një rënie të shëndetit tuaj fizik nëse nuk trajtohet. Ndonjëherë një situatë pune është aq e keqe sa ju duhet të dilni, pavarësisht nga pasojat.

Share.