Ministrja e  e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në marshin që është mbajtur sot në Prishtinë pas vrasjes së 18-vjecares nga Ferizaj.

Pikërisht në këtë protestë me ngjyrë të kuqe është gjuajtur drejt objektit të Qeverisë.

Dhjetëra protestues janë mbledhur pranë objektit të Ministrisë së Drejtësisë ku po kërkojnë shkarkimin e të gjithë gjykatësve, prokurorëve dhe policëve që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet, sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recividistë”, “poshtë institucionet patriarkale”, “Kjo ministri i ka duart me gjakun e grave”, “Jeta e grave hajgare për shtetin” janë thirrjet më të shpeshta të tyre.

Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e pranishme sot fizikisht në protestën e organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.  Vrasja e Marigonës na e shpërfaqë  papërgjegjësinë institucionale përball kryerësve të veprave penale. Kjo vrasje është alarm për shoqërinë por edhe për secilin institucion, prandaj do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente.   Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen”, thotë MD-ja.

“Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët.  Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale është njëra nga prioritetet e Ministrisë se Drejtësisë. Ne do të angazhohemi në parandalimin e rasteve të çfarëdo lloji të dhunës. Vetëm me një gjyqësor të drejtë ku nuk lirohen të fuqishmit, por mbrohen viktimat, ne do të arrijmë një shoqëri të sigurtë e të barabartë”, thotë MD-ja./TV Malisheva

Share.